Kur më 16 shtator krerët e UÇK-së u dënuan, Britania e Madhe reagoi përmes Ministrit për Evropën, Lord Wood of Anfield, duke mbështetur vendimin dhe duke shprehur përkrahje për pavarësinë e gjykatës dhe të procesit.

Por, ekziston një hipokrizi e dukshme mes këtij qëndrimi dhe fakteve që shpërfaqin qasjen reale të Britanisë ndaj pavarësisë së gjyqësorit në Kosovë, por edhe ndaj drejtësisë ndërkombëtare.

Në një dëshmi të britanikut Malcolm Simmons, ish-kryetarit të gjyqtarëve në EULEX, thuhet se Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ishte e përfshirë rregullisht në punën e prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë britanikë që shërbenin në sektorin e drejtësisë në kuadër të EULEX-it.

Në deklaratën e Simmons, të cilën e ka siguruar VOX Kosova, e që e njëjta është e depozituar edhe në Gjykatën Speciale në vitin 2021, kur mbrojtja e Nasim Haradinajt kërkoi largimin e Charles Smith nga paneli i gjyqtarëve, thuhet se ish-ambasadori britanik në Prishtinë dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës takoheshin rregullisht me prokurorët dhe flisnin për hetime të ndjeshme.

“Nën ambasadorin e atëhershëm britanik, Ian Cliff, pritej që të merrja pjesë në një takim javor në Ambasadën Britanike në Prishtinë, të cilat njiheshin si takimet e ‘britanikëve të nivelit të lartë’. Informacionet që diskutoheshin shpesh ishin të ndjeshme dhe, në disa raste, me qasje të kufizuar,” deklaronte Simmons.

Sipas tij, aty diskutoheshin çështje që kishin të bënin me politikanë të nivelit të lartë e me profil të spikatur.

“Mua më pyesnin gjithmonë për çështjet penale në zhvillim, veçanërisht kur ato kishin të bënin me persona që paraqisnin interes të veçantë për komunitetin ndërkombëtar. Me ‘interes të veçantë’ nënkuptoj politikanët me profil të lartë”, dëshmonte Simmons.

Për më tepër, ai deklaron se gjatë këtyre takimeve, prokurorët britanikë diskutonin gjithashtu për hetimet penale në zhvillim, ku shqyrtoheshin edhe prova, përfshirë raporte të ndjeshme.

Ish-kreu i gjyqtarëve të EULEX-it thekson po ashtu se ambasada kishte interesim aktiv për rastet penale dhe se ndodhte që prokurorët britanikë të takoheshin veçmas me zyrtarë të lartë të Ambasadës, përfshirë vetë ambasadorin.

Këtë praktikë, ndonëse jo me të njëjtin ritëm, Mbretëria e Bashkuar e ka ndjekur edhe me Gjykatën Speciale.

Në maj të vitit të kaluar, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves njoftoi se e kishte takuar në Ambasadë kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, duke shprehur sërish përkrahjen për pavarësinë e këtij institucioni.

VOX Kosova i ka dërguar pyetje Ambasadës Britanike në Prishtinë lidhur me pretendimet e Simmons. Mirëpo, deri në realizimin e kësaj videoje, ambasada nuk ka kthyer asnjë koment.

Ndërsa Londra predikon “pavarësinë e drejtësisë” në Prishtinë, ka raste kur politika e saj ushtron presion direkt mbi drejtësinë ndërkombëtare.

Kur Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, po përgatiste urdhërarreste për drejtuesit e Izraelit për luftën në Gazë, ish-Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, e telefonoi atë duke e kërcënuar me pasoja diplomatike e financiare.

Mediat që raportuan telefonatën, të cilën e konfirmoi më pas edhe vetë qeveria britanike, njoftuan se qasja e Cameron ndaj Kryeprokurorit ishte agresive edhe për nga toni.

Ndryshe nga çfarë mendon qeveria, në Britani megjithatë një organizatë prestigjioze, Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit, e kishte monitoruar vullnetarisht procesin në Hagë. Raporti i tyre ngriti shqetësime serioze për shkeljen e të drejtave të njeriut, mungesën e transparencës, pabarazinë mes palëve, gjyqtarët me qasje të anshme, takimet e fshehta me diplomatë që shpërfaqnin varësi, si dhe përdorim i provave të paverifikuara gjatë procesit.

Natyreshëm, pyetjet publike për diplomacinë britanike, fort të interesuar për drejtësi të pavarur e të paanshme, janë: A i beson ajo organizatës së vet, e cila është pjesë e dhomës zyrtare juridike britanike të themeluar që nga viti 1894?

Dhe para se të vrapojë për të përshëndetur vendimet e një procesi kontrovers, a ka shikuar ndonjëherë argumentet e palës tjetër, apo drejtësia vlen vetëm atëherë kur i shërben gjeopolitikës?