Qarkullimi i përgjithshëm i bizneseve në Kosovë ka një stagnim në vitin 2025 (periudha janar-shtator). Vetëm 1 për qind është rritja e qarkullimit këtë vit krahasuar me vitin 2024.

Këto shifra janë paraqitur nga platforma Data4X, që mbledh dhe analizon të dhëna ekonomike, në një kohë kur Qeveria në detyrë, e drejtuar nga Albin Kurti, mburret për rritje ekonomike.

Shifrat ndër vite tregojnë se gjatë periudhës 2018–2023, pati një rritje të vazhdueshme, përveç vitit 2020, që u ndal nga kriza e shkaktuar nga pandemia. Por, tregojnë edhe një stagnim në vitin 2025.

Në vitin 2018 qarkullimi ishte 7.5 miliardë euro.

Në vitin 2019 u rrit në 8.2 miliardë euro – plus 8 për qind.

Viti 2020 shënoi rënie në 7.4 miliardë euro – minus 9 për qind, për shkak të pandemisë.

Pas rikthimit të normalitetit, në vitin 2021 qarkullimi arriti 10.3 miliardë euro – plus 38 për qind.

Në vitin 2022, qarkullimi i ndërmarrjeve kapi shumën prej 12.9 miliardë – plus 26 për qind.

Ndërsa, në vitin 2023, ka një trend që fillon të zvogëlohet rritja e qarkullimit. Në këtë vit është 14.1 miliardë, me një rritje vetëm prej 9 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Njëjtë vazhdon edhe në vitin 2024. Qarkullimi në këtë vit ka qenë 15.2 miliardë euro, ndërsa rritja 7 për qind në raport me vitin e kaluar.

Për dallim nga viti 2023 dhe 2024 kur ka trend të uljes së rritjes, në vitin 2025 ka stagnim total. Rritja e qarkullimit të bizneseve në vitin 2025 krahasuar me atë të 2024-së është vetëm 1 për qind – shuma e qarkullimit është 15.3 miliardë.