Ndaj Kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, do të lëshohet urdhërarrest, për shkak se i njëjti ka munguar në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po akuzohet bashkë me Fatos Sahitin për sulm ndaj ish-deputetit Haki Abazi, pas një debati televiziv në vitin 2019.

Fisnik Gashi, gjyqtari i rastit, tha se për shkak të mungesës së Molliqajt në seancë do të lëshohet urdhëarrest, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së të pandehurit Dardan Molliqaj. Ndaj të pandehurit Dardan Molliqaj do të lëshohet urdhërarrest”, deklaroi Gashi.

Në seancën e së enjtes, të pranishëm ishin i akuzuari Sahiti, avokati i Molliqajt, Dren Kukaj dhe nga pala e dëmtuar Abazi me avokaten Sadije Mjekiqi.

Molliqaj kishte munguar edhe në seancën e 4 shtatorit 2025, por ishte arsyetuar se ka munguar për shkak të angazhimeve në fushatën zgjedhore.