Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka thënë se shteti që ai drejton nuk do të lejojë mbylljen e kapitullit 31 në negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian pa u zgjidhur çështja e kufirit.
“Mund të them lirisht: kapitulli 31 nuk do të mbyllet derisa të zgjidhet çështja e demarkimit në kufirin tokësor. Një mesazh i qartë, që nuk mund të jetë më i qartë, por edhe miqësor. Në fund të fundit, nëse ky është problem, atëherë duhet ta dëgjojmë qartë”, tha Plenkoviç në Bruksel, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Nëse dëgjojmë një mesazh të qartë nga pala malazeze, ‘ne nuk konsiderojmë se ka konflikt në pikën ku kufiri tokësor takohet me detin’, atëherë kemi problem. Dhe në atë rast nuk mund të ulemi në të njëjtën tryezë të familjes që quhet Bashkimi Evropian. Kjo është thelbësore”, shtoi ai.
Kapitulli 31 përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Shteti kroat e kishte bllokuar atë në vitit 2024. Kjo kishte ndodhur pasi që Kuvendi i Malit të Zi kishte miratuar rezolutën për Jasenovacin, e cila kishte shkaktuar tensione mes dy vendeve.
Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe Presidenti malazez, Jakov Milatoviç. Ai, më 25 nëntor, përmendi faktin se kur Kroacia u pranua në BE nuk e kishte ende të zgjidhur kufirin me Slloveninë.
Në këtë drejtim, Milatoviç shpreh i gatshëm që nëse arrihet marrëveshje ta dërgojnë kontekstin në Gjykatën Ndërkombëtare ose në arbitrazh.
Por, Plenkoviç nuk e mbështeti këtë. Ai tha se Kroacia nuk beson në arbitrazh, derisa shtoi se situata e Kroacisë me Slloveninë nuk mund të krahasohet me atë të Malit të Zi.
“Raporti mes Kroacisë dhe Malit të Zi dhe raporti mes Kroacisë dhe Sllovenisë nuk është i njëjtë. Mali i Zi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, e cila zhvilloi agresion të armatosur ndaj territorit kroat. Prevllaka, Konavlle, shkatërrimi i Dubrovnikut, praktikisht arritja e okupimit deri në Sllano”, tha Pllenkoviç.
Ai e ftoi Malin e Zi që të arrijë marrëveshje për kufirin tokësor.
Me situatën aktuale, pra me qëndrimet e të dyja palëve, mund që të vihet në pikëpyetje synimi që Qeveria malazeze e ka që negociatat për anëtarësim në BE t’i përfundojë deri në fund të 2026-së dhe kështu Traktati i Anëtarësimit të nënshkruhet në verën e vitit 2027.
Problemi i kufirit
Kroacia është duke kërkuar që Mali i Zi të heqë dorë nga arbitrazhi për kufirin tokësor dhe të përqendrohet në kufirin detar pranë Prevllakës, në hyrje të Gjirit të Kotorrit.
“Çdo vënie në pikëpyetje e kufirit tokësor, Kroacia do ta interpretojë si pretendim territorial të Malit të Zi ndaj Kroacisë. Po flas në mënyrë eksplicite, e kam fjalën për Prevllakën”, nënvizoi Plenkoviç.
Kufiri në gadishullin e Prevllakës është kontestuar që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet ’90. Kontesti përfshin tri çështje: tokën, detin dhe nëntokën detare. Për Malin e Zi është thelbësore të ruajë kontrollin mbi hyrjen në Gjirin e Kotorrit. Kroacia konsideron se gadishulli është territor kroat dhe se deti duhet të ndahet sipas të drejtës ndërkombëtare.
Që nga viti 2002, situata rregullohet me një protokoll të përkohshëm. Sipas tij, pjesa tokësore e Prevllakës dhe brezi i ngushtë detar përreth kepit të Ostrosit janë nën kontrollin kroat. Një pjesë e hapësirës detare pranë bregut të majtë të gadishullit është shpallur “det i askujt”, kështu që Mali i Zi ka ruajtur kontrollin mbi detin dhe hyrjen në gji. Ky aranzhim ishte dashur të ishte i përkohshëm, por po vazhdon tashmë që 24 vjet. Komisioni i përbashkët për zgjidhjen e kontestit është mbledhur për herë të fundit në vitin 2015.
Kufiri është një nga tetë kërkesat e Kroacisë që Mali i Zi duhet t’i përmbushë para anëtarësimit në BE.
Përveç kapitullit 31, Kroacia për momentin po bllokon edhe mbylljen e përkohshme të kapitullit 14, që ka të bëjë me transportin, dhe kapitullit 15, që lidhet me energjetikën. Bllokimi i kapitullit 15 lidhet gjithashtu me kufirin, përkatësisht me kërkimet për naftë dhe gaz në një pjesë të hapësirës detare, pasi të dyja vendet ende nuk e kanë përcaktuar kufirin detar.










