Ndonëse Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte premtuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), do të shuhej, kjo agjenci ka shpallur të mërkurën në shitje 258 prona në Kosovë.

“Janë gjithsej 258 asete të ndara sipas kategorive dhe potencialit zhvillimor, prej të cilave ka njësi bujqësore, shumë prej tyre me tokë të cilësisë së lartë për bujqësi intensive dhe pemëtari; njësi rezidenciale, ideale për zhvillim të banimit urban e rural; asete me funksione të ndryshme komerciale, të përshtatshme për investime afariste; depo me potencial për shfrytëzim logjistik apo magazinues dhe lokale afarist, që përfaqësojnë mundësi të rralla për zhvillim biznesi”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

“Asetet janë të shpërndara në 6 rajonet e Kosovës. Kjo valë e shitjeve synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes krijimit të mundësive konkrete për investime në bujqësi, banim, tregti dhe shërbime, kurse pronat janë me sipërfaqe që variojnë nga njësi të vogla për investitorë individualë, deri në prona të mëdha që mund të transformohen në qendra zhvillimi rural, agrobiznesi apo projekte banimi”, theksohet tutje.

Një nga premtimet e Kurtit para se të vinte në pushtet ishte edhe shuarja e AKP-së. Madje, edhe gjatë mandatit qeverisës ai u zotua që do ta shuante.

“Kemi thënë se AKP-ja do të shuhet dhe AKP-ja do të shuhet. Që të shuhet APK-ja është e rëndësishme që të shkarkohet bordi, sepse kanë vjedhur shumë, por ne nuk i lejojmë të vjedhin më, kanë vjedhë me paga, kanë vjedhë me privatizime”, pati deklaruar kryeministri Kurti në maj të 2021-tës në një seancë të Kuvendit.

Por, kur kanë kaluar 5 vjet nga ky deklarim i Kurtit, AKP-ja funksionon ende dhe vazhdon të shpallë në shitje prona.