Një artikull i medias amerikane, FOX News, shpjegon si ish prokurori special në Gjykatën Speciale në Hagë, Jack Smith dhe ekipi i tij, në vitin 2023, kishin kërkuar të dhënat telefonike për një grup të ligjvënësve republikanë, një çështje që nga republikanët po trajtohet si tejkalim i kompetencave.
Ish-shefi i stafit të presidentit Donald Trump, Mark Meadoës, ish-kryetari i Bashkësisë së New York, Rudy Guiliani, kongresisti republikan nga Teksasi, Brian Bbabin. Kongresistin nga Arizona, Andy Biggs e kongresisti nga New York, Lee Zeldin janë disa nga figurat republikane, për të cilat ishin kërkuar të dhënat telefonike.
Email-e të brendshme të Departamentit të Drejtësisë, të siguruara nga Fox News Digital, tregojnë se prokurorët që punonin për këshilltarin special Jack Smith kishin kërkuar në vitin 2023 të dhënat telefonike për një grup të gjerë ligjvënësish republikanë, përfshirë edhe emra të rinj të zbuluar, si një zyrtar aktual i administratës Trump.
“Do të doja të kërkoja miratimin e Seksionit të Integritetit Publik për të marrë të dhënat telefonike për disa anëtarë të Kongresit që kanë pasur kontakt me palë të rëndësishme në hetimin tonë,” shkroi ish-avokati i Departamentit të Drejtësisë, Timothy Duree. “Do ta kufizoj periudhën kohore—ndoshta nga 1 tetor 2020 deri më 31 janar 2021.”
Këto email-e ishin pjesë e hetimit dhe ndjekjes penale të Smith ndaj Trump për zgjedhjet e vitit 2020, i cili fillimisht nisi si një hetim i FBI-së me emrin “Arctic Frost”.
Hetimet e vazhdueshme të Komiteteve të Drejtësisë në Dhomë dhe Senat kanë zbuluar përmes publikimeve të ndryshme se Departamenti i Drejtësisë nën administratën Biden kishte në shënjestër një rrjet të gjerë personash dhe entitetesh republikane me urdhra gjyqësorë, por kërkesat për të dhënat telefonike të ligjvënësve janë bërë një nga çështjet më të diskutuara.
“Policia sekrete e Joe Biden ndoqi një nivel mbikëqyrjeje qeveritare për të cilin edhe Stalini do të ishte krenar,” tha Biggs në një deklaratë për Fox News Digital. “Është një abuzim absurd me pushtetin dhe një shkelje e neveritshme e privatësisë.”
Duree përfshiu 16 emra në email-e dhe tha se donte të diskutonte nëse do të “lëshoheshin urdhra për të gjithë njëkohësisht”.
Lista përfshinte Babin dhe Biggs, si dhe ish-deputetët Mo Brooks, Matt Gaetz, Paul Gosar, Louie Gohmert, Zeldin dhe Jody Hice. Po ashtu përfshinte shefen e stafit të Gohmert, Connie Hair, si dhe shtatë senatorë, emrat e të cilëve ishin bërë të ditur më parë, si Ted Cruz (Republikan nga Teksasi) dhe Marsha Blackburn (Republikane nga Tennessy).
Publikimet e mëparshme tregojnë se për disa nga këta 16 anëtarë janë kërkuar të dhënat telefonike, por email-et e reja me emra të rinj, si Babin, Biggs dhe Zeldin, nuk e bëjnë të qartë nëse Smith përfundimisht ka lëshuar urdhra për të dhënat e tyre. Këto të dhëna përfshijnë datat, orët dhe numrat e telefonit, por jo përmbajtjen e thirrjeve apo mesazheve.
Një nga prokurorët e ekipit të Smith, Raymond Hulser, në një përgjigje në janar 2023, pranoi shkallën e kërkesës për këto të dhëna.
“Dhe të lutem, nuk ka nxitim këtë mëngjes,” shkroi Hulser. “Sapo më erdhi në mendje që para se të njoftojmë drejtuesit se do të lëshojmë urdhra për kaq shumë anëtarë, duhet të sigurohem që Jack të jetë në dijeni.”
Smith, i njohur në Kosovë për rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili më vonë ka dëshmuar para Komitetit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve Amerikanë, i ka mbrojtur këto veprime, duke thënë se ishin “plotësisht të përshtatshme” dhe në përputhje me protokollet e Departamentit të Drejtësisë.
Megjithatë, republikanët e prekur i kanë dënuar këto veprime si shkelje serioze të Kushtetutës, veçanërisht të klauzolës së lirisë së fjalës dhe debatit, që u jep anëtarëve të Kongresit një mbrojtje shtesë nga hetimet.
Përveç anëtarëve të Kongresit, publikimet tregojnë se Smith kishte në shënjestër qindra persona dhe entitete të lidhura me republikanët, ndërsa ndiqte akuzat ndaj Trump. Ai ngriti katër akuza penale ndaj tij për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, por më vonë e tërhoqi çështjen pasi Trump fitoi zgjedhjet e vitit 2024, duke iu referuar një politike të DOJ-së që ndalon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.
Në një tjetër email, Hulser i kërkoi Duree të kontrollonte raportin e Komitetit të 6 Janarit për anëtarët që kishin ndërvepruar me Trump dhe Giuliani atë ditë, duke treguar se prokurorët përdorën edhe punën hetimore të këtij komiteti. Republikanët e kanë kritikuar gjerësisht këtë komitet si të njëanshëm politikisht.









