Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se ka informacione që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe se nëpërmjet njerëzve të afërt me Kurtin ai ka arritur të kuptojë agjendën e këtij takimi.

Vuçiç, siç raportojnë mediat serbe, ka thënë se Kurti do të diskutojë me Macronin për katër tema e do të vendosë dy kushte. Njëra prej tyre, sipas Vuçiç, do të jetë kushtëzimi i përdorimit të armëve nga Serbia mbi shqiptarët dhe tjetra do të jetë largimi i forcave të NATO-s nga veriu i Kosovës e vendosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këto zona.

“Kemi njerëzit tanë në rrethin e Kurtit dhe kemi marrë agjendën e tij për bisedën me presidentin francez”.

“Kurti do të shkojë me dy kërkesa. Ai ka katër tema, dy kërkesa. Njëra është që francezët të na vendosin kushte se si do t’i përdorim armët tona, domethënë që ato të mos përdoren kurrë kundër shqiptarëve”.

“Kërkesa e tij e dytë është shumë e rrezikshme: që NATO të largohet nga Zona Tokësore e Sigurisë në veri dhe që Franca ta mbështesë atë, në mënyrë që ata të mund ta sjellin të ashtuquajturën FSK në Zonën Tokësore të Sigurisë”, ka deklaruar ish-ministri i Sllobodan Millosheviçit.

Udhëheqësi i Serbisë pretendoi se Macron, të cilin e quan mik të tij, nuk do t’i mbështesë kërkesat e Albin Kurtit.

“Jam i sigurt se miku im Emmanuel Macron nuk do të mendojë të mbështesë një kërkesë të tillë, sepse kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të gjithë Serbisë. Dhe besoj se kjo nuk do të ndodhë, jam pothuajse i sigurt”, tha Vuçiç.