Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka thënë se FBI-ja po heton lidhjen jashtëmartesore të shefit ekzekutiv të Nvidia-s me një grua të dyshuar si spiune kineze.

Trump tha se të hënën kishte biseduar me Jensen Huang-un, pas raportimeve se SHBA-ja beson që ai ishte vënë në shënjestër të një fushate spiunazhi kinez.

“E pyeta: ‘A kishe ndonjë ide se ajo ishte spiune?’ Ai më tha: ‘Nuk e kisha idenë se ishte spiune’, dhe unë vërtet e besoj”, u tha Trump gazetarëve, raporton BBC.

Pekini, shkruan BBC, i ka hedhur poshtë pretendimet se Huang ishte vënë në shënjestër, ndërsa Ministria e Jashtme kineze i cilësoi akuzat si “krejtësisht të pabaza, spekulative dhe të bëra me qëllim që të njollosin dhe denigrojnë Kinën”.

Më vonë, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump u tha gazetarëve: “E di që FBI-ja po e shqyrton këtë çështje”, por nuk dha hollësi të tjera për hetimin dhe as nuk konfirmoi se kur kishte nisur ai.

Trump shtoi se e konsideronte Huang-un “një njeri të ndershëm” dhe se ishte “shumë i bindur se ai do të dalë mirë” pas hetimeve.

FBI-ja nuk pranoi të komentonte kur u kontaktua nga BBC-ja.

Nvidia, e cila ka angazhuar një hetim të pavarur për lidhjen e Huang-ut me Alice Huang-un, që dyshohet se është spiune kineze, tha se nuk ka arsye të besojë se sekretet e kompanisë apo siguria kombëtare janë komprometuar.

Nvidia është kompania e dytë më e vlefshme në botë, pas Apple-it, dhe projekton çipa kompjuterikë që janë bërë thelbësorë për teknologjinë e inteligjencës artificiale.

Zbulimet bënë që vlera e Nvidia-s të binte me rreth 250 miliardë dollarë (190 miliardë funte) të hënën, pasi çmimi i aksioneve të kompanisë ra për më shumë se 4 për qind.

Zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, ishte spiune e Pekinit, sipas një raportimi të New York Times. Ajo nuk ka lidhje familjare me Jensen Huang-un.

Sipas gazetës, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u kishte dërguar një memorandum zyrtarëve të lartë në Uashington në pranverën e këtij viti, duke i paralajmëruar se shefi i Nvidia-s kishte një marrëdhënie të afërt me një spiune kineze.

Alice Huang ishte drejtoreshë menaxhuese e kompanisë singaporiane Megaspeed, e cila ka pasur marrëdhënie biznesi me Nvidia-n.

Deklaratat e Trump-it janë treguesi i parë nëse Huang kishte dijeni për lidhjet e pretenduara të gruas me spiunazhin kinez.

Zyra e Megaspeed-it, në distriktin qendror të biznesit në Singapor, dukej se ishte funksionale dhe kishte punonjës të pranishëm të martën.

BBC-së nuk iu lejua hyrja në katin ku ndodhej kompania, por një punonjës, i kontaktuar përmes telefonit, tha se nuk kishin koment për këtë çështje dhe i drejtoi të gjitha pyetjet te ekipi i marrëdhënieve me publikun të kompanisë.

Nvidia, e bashkëthemeluar nga Jensen Huang, është gjithashtu një nga kompanitë kryesore në garën teknologjike të inteligjencës artificiale mes SHBA-së dhe Kinës. Zyrtarët në Uashington i trajtojnë eksportet e saj drejt Pekinit si çështje të sigurisë kombëtare, një nga arsyet kryesore pse lidhja e Huang-ut ka nxitur shqetësime.

Po ashtu, të hënën, Huang dhe Nvidia u paditën në kuadër të një padie të propozuar kolektive në Kaliforni. Padia i akuzon ata për mashtrim të aksionarëve, duke fshehur lidhjet e tij me gruan e dyshuar si spiune kineze.

Në padi pretendohet se kompania i ka gënjyer mediat lidhur me marrëdhënien e Jensen Huang-ut me Alice Huang-un, “e cila dyshohet se ka tentuar të ndihmojë në kontrabandimin e produkteve të Nvidia-s drejt Kinës”.

Në Shtëpinë e Bardhë, Trump-it iu kërkua disa herë të tregonte se kur ishte informuar për këtë marrëdhënie. Ai tha se ishte njoftuar “gjatë një periudhe kohore”, por nuk dha një datë të saktë.

“Shpresoj që të mos ketë ndonjë problem. Besoj se ai po vuan shumë”, shtoi Presidenti amerikan.

Ai tha se të hënën kishte biseduar në telefon me Huang-un, “vetëm për të parë nëse ndihej mirë, si po ia kalonte”, dhe se e kishte pyetur për këtë çështje. Sipas Trump-it, Huang i kishte thënë se nuk kishte pasur absolutisht asnjë ide se personi në fjalë ishte spiune.

Trump ka shprehur shqetësimin se lejimi i Kinës për të marrë epërsinë në fushën e inteligjencës artificiale do të forconte ndjeshëm kapacitetet ushtarake dhe të mbikëqyrjes së Pekinit.

Presidenti shtoi se ishte “i sigurt” që liderin kinez, Xi Jinping, “do ta pyes për këtë çështje” në takimin e tyre të ardhshëm.

Huang ka pranuar se kishte qenë jo lojal ndaj bashkëshortes së tij dhe ka kërkuar falje për lëndimin që i kishte shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre.

Të hënën, ai tha se ishte “i përkushtuar për mbrojtjen e Nvidia-s dhe mbështetjen e sigurisë kombëtare të Amerikës”, si dhe se do të bashkëpunonte me hetimin e nisur nga kompania.

Huang-it i është kërkuar gjithashtu të marrë pjesë javën e ardhshme në një seancë të përbashkët informuese, me dyer të mbyllura, për disa komitete të Kongresit Amerikan. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ai do të paraqitet.

Në një letër thuhej se seanca do të përqendrohej te “protokollet e sigurisë së Nvidia-s kundër spiunazhit nga kundërshtarët e huaj dhe ndërveprimet tuaja me një person të shërbimeve të inteligjencës së Republikës Popullore të Kinës, të raportuar publikisht: drejtuesen e Megaspeed-it, Alice Huang”.

Disa punonjës me të cilët BBC-ja foli të hënën në selinë e Nvidia-s në Santa Clara thanë se gjithçka po vazhdonte normalisht, pavarësisht vëmendjes së madhe që ka marrë kompania.

Nvidia ekziston prej disa dekadash. Huang e themeloi atë në vitin 1993, së bashku me dy inxhinierë të tjerë, por ngritja e saj në mesin e kompanive më të vlefshme dhe më me ndikim në botë ka ndodhur vetëm në vitet e fundit.

Fillimisht, kompania projektonte çipa kompjuterikë për lojëra, por vendimi për ta zhvendosur fokusin te zhvillimi i inteligjencës artificiale e shndërroi në fuqinë që është sot.

Çipat e saj janë bërë aq të rëndësishëm për zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale, saqë Shtëpia e Bardhë më parë kishte vendosur kufizime për tregjet ku mund të shiteshin produktet e saj më të avancuara.

H200, gjysmëpërçuesi i dytë më i avancuar i Nvidia-s, ishte më parë nën kufizime, për shkak të shqetësimeve se mund t’i jepte industrisë teknologjike kineze epërsi ndaj asaj amerikane.

Megjithatë, Huang ka qenë prej kohësh kundër kufizimit të shitjeve drejt Kinës, duke argumentuar se përhapja globale e inteligjencës artificiale do të ishte më e dobishme nëse do të mbështetej në teknologjinë amerikane.

Në janar, administrata Trump njoftoi se do t’i lejonte kompanisë shitjen e çipave H200 për klientët kinezë, me disa kushte.

Gjysmëpërçuesit më të avancuar të Nvidia-s për inteligjencën artificiale, përfshirë superçipin GB200 Blackwell, vazhdojnë të jenë të bllokuar për tregun kinez.