Një hetim i nisur në vitin 2022 nga një prokuror i posaçëm ndaj Kash Patel-it – sot drejtor i FBI-së, por në atë kohë qytetar privat – përfshinte kërkesa për mbi dy vite të dhëna telefonike, mesazhe dhe informacione financiare. Kjo del nga dy thirrje të jurisë së madhe dhe urdhra për moszbulim, të siguruara nga Reuters.
Ekipi i prokurorit të posaçëm Jack Smith kërkoi nga kompania Verizon Communications (VZ.N) të dhënat e komunikimeve të Patel-it, në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen e mundshme të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në zgjedhjet e vitit 2020 dhe për fshehjen e dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij privat në Mar-a-Lago.
Dokumentet e reja për Patel-in u bënë publike me autorizim të senatorëve republikanë Charles Grassley, Ron Johnson dhe Ted Cruz, përpara një seance dëgjimore të së martës në një nënkomision që po shqyrton hetimin e Smith-it, me emrin kodues “Arctic Frost”.
Smith u emërua prokuror i posaçëm në vitin 2022. Më herët, Reuters kishte raportuar se ekipi i tij kishte kërkuar të dhënat telefonike të Patel-it dhe të shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, në kohën kur ata ishin ende qytetarë privatë, por të përfshirë në fushatën e Trump për rikthimin në pushtet në vitin 2024.
Dokumentet e siguruara nga Reuters tregojnë se hetimi ndaj Patel-it ka qenë më i thellë nga sa ishte bërë i ditur më parë. Përveç thirrjeve telefonike, emrave të përdoruesve online dhe mesazheve, hetuesit kërkuan edhe adresa postare dhe emaili, të dhëna faturimi, adresa IP si dhe informacione mbi llogaritë bankare.
Sipas dokumenteve, kërkesat përfshinin regjistrimet e thirrjeve dhe mesazheve të dërguara e të pranuara – por jo përmbajtjen e tyre. Po ashtu, u kërkuan edhe të dhëna mbi kohëzgjatjen e thirrjeve dhe sesioneve, si dhe informacionet e abonentit të lidhura me llogaritë e Patel-it.
Njëra nga thirrjet mbulonte periudhën nga 1 janari 2021 deri më 23 nëntor 2023, ndërsa tjetra nga 1 tetori 2020 deri më 22 shkurt 2023.
Zëdhënësi i FBI-së, Ben Williamson, deklaroi për Reuters se këto dokumente tregojnë veprime të papërshtatshme nga Smith dhe FBI-ja në atë kohë.
“FBI-ja nën drejtimin e mëparshëm është përdorur si mjet në mënyra që amerikanët vetëm tani po nisin t’i kuptojnë plotësisht,” u shpreh ai.
Një zëdhënës i Smith nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Më herët, ai i kishte thënë Kongresit se hetuesit kishin shqetësime për pengim të mundshëm të drejtësisë dhe se zyra e tij “ka ndjekur politikat e Departamentit të Drejtësisë, ka respektuar ligjin dhe ka vepruar mbi bazën e fakteve”.
Ish-drejtori i FBI-së, Christopher Wray, që drejtonte agjencinë gjatë këtij hetimi, nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Ndërkohë, gjyqtari federal James Mazzone lëshoi më 30 nëntor 2022 një urdhër për moszbulim në kuadër të hetimit ndaj Patel-it, duke theksuar se ekzistonin “arsye të forta për të besuar se publikimi i informacionit mund të çonte në arratisje, shkatërrim ose manipulim provash, frikësim dëshmitarësh dhe rrezik serioz për hetimin”.
Reuters nuk arriti të verifikojë nëse Verizon i ka përmbushur kërkesat e Smith-it apo se si janë përdorur këto të dhëna. Edhe kompania nuk dha koment.
“Sa më shumë gërmon, aq më shumë zbulon,” deklaroi Grassley, kryetari republikan i nënkomisionit që po heton çështjen.
Në vitin 2022, Patel kishte deklaruar publikisht se Trump i kishte deklasifikuar dokumentet e dërguara në Mar-a-Lago – një pretendim i kundërshtuar nga prokurorët dhe që nuk u mbështet nga avokatët e Trump në gjykatë.
Po atë vit, Patel u thirr për të dëshmuar para një jurie të madhe, pasi kishte marrë imunitet të kufizuar nga ndjekja penale.









