Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se projekti për Spitalin e Kryeqytetit është bllokuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndonëse theksoi se fondet i kishin siguruar prej gati dy vitesh.

“Vetëm Prishtina, që i vyn Spitali i Kryeqytetit, nuk e ka spitalin e vet. Pra në QKUK, aty kemi qytetarë edhe prej pjesëve të tjera të Kosovës që marrin shërbime, kështu që Prishtinës i duhet Spitali i Kryeqytetit, të cilin faktikisht edhe i kemi pasë fondet prej Katarit para tash dy vite gati, po që projektin na e kanë blloku Ministria e Punëve të Brendshme, sepse ata e kanë pasë edhe Ministrinë e Administratës përpara. Mirëpo tash po them, ne po i shtyjmë proceset edhe në bashkëpunim me sektorin privat”, ka thënë Rama për Ekonomia Online.

Rama potencoi se projekti i spitalit është në proces të realizimit. “Na, e dini që Spitalin e Prishtinës veç e kemi caktu lokacionin, edhe e kemi caktu buxhetin. Tash në konferencën për investitorë po ashtu kemi edhe interes prej sektorit privat për me na ndihmu për me e zhvillu këtë projekt. Tash e patëm takimin këtu edhe me institucionet qendrore edhe ndërkombëtare, financiare, që janë të interesum për me i financu këto procese. Kështu që jemi në proces edhe ju lajmërojmë edhe për hapat e mëtutjeshëm”.

Ai tha se ndërtimi i këtij spitali do ta lehtësonte shumë jetën e qytetarëve.