Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se Kryeministri Albin Kurti ka pasur të mërkurën një darkë pune me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, por askund nuk është përmendur që është diskutuar për dialogun.

Në njoftimin e ZKM-së theksohet se Kurti ka diskutuar me Sorensen-in për integrimin në BE.

“Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.

Aty theksohet se Kurti me Sorensen-in diskutuan edhe për aktualitetet politike dhe zhvillimet e brendshme.

Nga pamjet e publikuara nga Qeveria, pjesë e këtij takimi ka qenë edhe ish-kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por jo edhe kryenegociatori aktual, Glauk Konjufca.

Vizita e Sorensen-it në Kosovë, vjen pas asaj që kishte pasur në Serbi më 9 prill, ku e kishte takuar Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.