Këtë 5 nëntor bëhen 5 vjet që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen me ligj të xhunglës në paraburgim.
Tash e 5 vjet prejse u morën padrejtësisht, Albin Kurti asnjëherë nuk ka reaguar për këtë padrejtësi ndaj 4 personaliteteve, por që ndjehet te krejt pjesëtarët e kombit.
Përkundër se dikur thoshte… të gjithë nën udhëheqjen e tij u morën. Por ai ka vendosur të flasë tash.
Duke publikuar një letër koti e duke u munduar të tregojë përmes këtyre pak paragrafëve se paska bërë punë të madhe në mbrojtje të luftëtarëve të lirisë që në letër s’mundet dot t’i quajë të tillë, por u referohet si Specialja “të akuzuar”.
Ju e dini se partnerja e afërt e Albin Kurtit e konfirmonte me krenari… Gjithashtu e dini se Presidentja e Albin Kurtit… Të dyja këto Kurti i afroi pas këtyre deklaratave.
Po pse reagon sot Kurti? Sepse sot i duhen votat e elektoratit të PDK-së, meqë përmes tyre do të vendoset kryetari i ardhshëm në shumë komuna.
Në Prishtinë, Gjilan, Fushë Kosovë e disa komuna të tjera, ku në garë janë Vetëvendosja e LDK, elektorati i PDK-së me gjasë e vendos kryetarin.
Se sa ka qenë Kurti i interesuar për Gjykatën Speciale, atje ku e ka edhe një bashkëpunëtor të afërt të tij, e dimë të gjithë… Në ndërkohë, a e keni dëgjuar kur thotë…
Këto dy sekuenca shpërfaqin dy gjëra tejet të rëndësishme:
E para, ai s’ka marrë mundin ta plotësojë as një formular të thjeshtë e të shkurtër, aq më tepër se ka staf mjaftueshëm për ta mbushur.
E dyta, ai ushqen paturpësisht paragjykimet mbi të cilat Specialja e arsyeton paraburgimin kur thotë…
Por të kthehemi te letra.
Si fillim, Kurti që thoshte se nuk e pranon Gjykatën Speciale, këtu shihet tek i nënshtrohet jo vetëm autoritetit të saj por edhe gjuhës.
Në asnjë vend nuk u referohet Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit si udhëheqësit apo themeluesit e UÇK-së, por vetëm si “të akuzuarit”, ashtu siç i sheh edhe Prokuroria.
Në anën tjetër, i nënshtrohet autoritetit të Ekaterina Trëndafilovës si Presidente.
Në njoftim të letrës thotë se “ka kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi”, derisa vetë letra e tij është dërguar më 22 shtator 2022, së paku një vit e gjysmë pasi ka filluar procesi.
Në letër, vetë i thotë Trëndafilovës që “disa muaj më parë pata shansin për të takuar të gjithë ekipet mbrojtëse dhe të dëgjoj shqetësimet e tyre nga dora e parë”. Pra, disa muaj më parë.
Ia ka marrë disa muaj këtij ta dërgojë një letër, përkundër se i paska pas dëgjuar shqetësimet.
Në asnjë moment Kurti nuk shpreh bindjen e tij para Trëndafilovës se ata janë të pafajshëm.
Në asnjë moment nuk shkruan se e do lirimin e tyre nga akuzat, por thjesht lirim të përkohshëm, pra nga paraburgimi, për të vazhduar gjykimin në një Gjykatë që mos harroni, thotë se nuk e njeh.
Askund në letër nuk thotë se ata po mbahen padrejtësisht atje, as pse janë marrë, thjesht i kërkon Trëndafilovës përgjigje përse nuk trajtohen edhe rastet e krimeve serbe në Kosovë.
Kjo letër e dobët, e pakualifikuar, kjo gjuhë plotë nënshtrim ndaj Trëndafilovës, është provë e Kurtit se Kurti qenka marrë me Gjykatën Speciale, por në mënyrën më të gabuar të mundshme.
Por janë edhe disa prova se si u mor Kurti me Specialen.
Si fillim, me të ardhur në zyrë, ai merr një vendim: që informacionet që ndërlidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, nga niveli sekret të degradohen në nivelin e kufizuar.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që tash e tutje do të dihet gjithçka rreth informacioneve për Dhomat e Specializuara, por ideja është që të publikohen shumat e parave që dërgohen për avokatët në Hagë, në mënyrë që potencialisht të krijojë një përshtypje te qytetarët që atje po shpenzohen miliona, me shpresën mos irritohen njerëzit nga këto shpenzime.
Madje, në një vend thuhet edhe se kjo po bëhet “duke pasur parasysh transparencën në shpenzimet e parasë…”.
Këtu i ka mbetur transparenca?
A kjo Qeveri ka pranuar të dënohet mijëra euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi sepse refuzonte t’i bënte publike shpenzimet për karburante të burrit të Vjosa Osmanit, Prindon Sadriut.
Madje, Albin Kurti kishte bërë edhe diçka për ata në Hagë.
Në një Udhëzim Administrativ për MBROJTJEN JURIDIKE TË PERSONAVE TË AKUZUAR POTENCIALË PËR KRIMET E PRETENDUARA NË PROCESET GJYQËSORE PRANË DHOMAVE TË SPECIALIZUARA, në Nenin 11, në pikën 2 thuhej se:
“Në raste të veçanta kur për shkaqe objektive kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit shqyrtimin e saj. Propozimi përmban arsyetimin me shkrim”.
Dhe pika tre vazhdonte:
“Komisioni shqyrton rrethanat që kanë çuar në tejkalim të tarifave të përcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ dhe varësisht nga arsyetimi e aprovon apo refuzon të njëjtën”.
Pra, ekzistonte mundësia që të ndaheshin të holla shtesë për të akuzuarit në Hagë, kur paraqitej nevoja dhe e kërkonin rrethanat.
Por një plotësim-ndryshim që iu bë këtij Udhëzimi Administrativ në vitin 2024, shihni çfarë ndodh.
Te “Neni 11, Paragrafi 2 dhe 3 i Udhëzimit Administrativ bazik fshihen”. Pra, eliminohet kjo mundësi.
Në njërën anë bën publike paratë që dërgohen për të irrituar potencialisht qytetarët, e në anën tjetër shkurton mundësitë e financimit të mbrojtjes për të larguar potencialisht avokatët.
Ky është Albin Kurti i vërtetë.
Atëherë kur nuk ka zgjedhje dhe kur nuk i duhen votat, atëherë thotë – “Shko Hashim”. Sot thotë – “Hajdeni vota”.
Me shumë mundësi, në të dyja rastet do t’i ndodhë e kundërta.
Hashimi do të vijë. Votat do të largohen.








