Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, “është e tmerrshme të mendohet se si shpëtimtarët e një kohe kur rrezikohej ekzistenca e Kosovës, duhet të paraqiten para një Gjykate që ka dalë nga objekti për të cilin u ngrit”. E ka fjalën për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Në një reagim të ri në profilin e tij në Facebook, krejt procesin atje, ai e quan “turp të drejtësisë ndërkombëtare”.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”, shkruan Rama.
Siç shprehet Rama, “shqipsharësit digjitalë”, janë verbuar nga “budallakia patriotike” dhe e trajtojnë ish-presidentin Thaçi si armik politik, si dhe “urojnë të mos dalë kurrë nga burgu”.
“Ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shton.
Deklarata në fjalë e Ramës vjen pas konfirmimit që u dha nga SHBA-të për ish-komandantin e Përgjithshëm të NATO-s, Wesley Clark të dëshmojë në anën e mbrojtjes në Gjykatën Speciale.
POSTIMI:










