Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara në Hagë ka vendosur ta lërë në fuqi dënimin prej 13 vitesh burg ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, duke konstatuar se nuk ka pasur shkelje në aktgjykimin e Apelit.
Megjithatë, një element i vendimit ka tërhequr vëmendje: Shala është shpallur fajtor për një vrasje për të cilën edhe vetë gjykata ka konstatuar se ai nuk ishte personi që kishte kryer të shtënat.
Vendimi mbështetet në konceptin e ashtuquajtur “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK)” përmes së cilës përgjegjësia penale mund t’i atribuohet një personi edhe nëse ai nuk është autori i drejtpërdrejtë i krimit.
Në vendimin e saj, Supremja argumenton se mbrojtja e Shalës nuk ka arritur të dëshmojë ndonjë gabim ligjor në vendimet e mëhershme.
“Paneli vëren se Z. Shala kundërshton atribuimin e përgjegjësisë përmes Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, por nuk identifikon një gabim specifik ligjor apo një shkelje të konsiderueshme procedurale sipas Nenit 48(7) të Ligjit”, thuhet në vendimin e Supremes.
Sipas gjykatës, argumentet e mbrojtjes janë kryesisht kundërshtime ndaj gjetjeve faktike të trupave gjykuese dhe jo pretendime për shkelje të ligjit.
“Z. Shala thekson se nuk ishte autori i drejtpërdrejtë i vrasjes dhe se individë të tjerë kishin rol më të madh në ngjarjet që çuan në vdekjen e viktimës. Megjithatë, këto pretendime nuk identifikojnë një gabim ligjor në zbatimin e konceptit të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”, thuhet më tej në vendim.
Pikërisht ky interpretim juridik ka qenë në qendër të kundërshtimeve të mbrojtjes, e cila kishte argumentuar se përgjegjësia për vdekjen e viktimës i është atribuuar Shalës në mënyrë të zgjeruar, ndonëse ai nuk kishte rol thelbësor në aktin e vrasjes.
Ndërkohë, vetë Shala kishte mohuar vazhdimisht akuzat. Në një intervistë të dhënë më herët, ai kishte deklaruar se është shpallur fajtor për një krim që nuk e ka kryer.
“Unë nuk e kam bërë atë për të cilën akuzohem. Jam i pafajshëm për gjithçka. Por dënimi im për këtë vrasje është veçanërisht i papranueshëm për mua”, kishte thënë ai.
Sipas tij, gjatë viteve kanë ndryshuar edhe versionet për mënyrën se si pretendohet se ka ndodhur vrasja, ndërsa disa dëshmitarë kanë dhënë deklarime që, sipas tij, nuk përputhen me narrativën e prokurorisë.
“Është edhe më e paarsyeshme që sot të gjithë pranojnë se unë nuk jam autor i të shtënave që shkaktuan vdekjen e personit, por megjithatë jam shpallur fajtor për këtë vrasje”, kishte deklaruar Shala.
Ai kishte shtuar se për shkak të masave mbrojtëse dhe sekreteve procedurale nuk mund të flasë publikisht për të gjitha elementet që, sipas tij, e bëjnë këtë rast problematik.
“Pjesa më e keqe është se nuk mund të shpjegoj gjithçka që është anormale në këtë rast, sepse masat mbrojtëse më pengojnë të flas për shumë detaje”, kishte thënë ai.
Me vendimin e fundit të Supremes, procesi gjyqësor ndaj Shalës konsiderohet i përmbyllur dhe dënimi prej 13 vitesh burg mbetet në fuqi.









