Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, priti sot në një takim pune drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK), Klodjan Braho, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë takimit ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe SPAK-ut u arrit një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, me synim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në kuadër të bashkëpunimit, SPAK dhe PSRK nënshkruan një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjatë takimit dy drejtuesit e institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet prokurorive të të dy vendeve.

“Gjatë takimit, z. Braho dhe z. Isufaj shprehën gatishmërinë për angazhim të përbashkët me qëllim avancimin e mëtejshëm të koordinimit ndërinstitucional”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas njoftimit, drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, riafirmoi edhe rëndësinë e partneritetit me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, delegacioni nga Shqipëria po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Gjatë ditës ata janë pritur edhe nga U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë në të dy vendet dhe për sfidat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.