Ndihma humanitare nga Kosova në vlerë 500 mijë euro për popullin e Gazës ka arritur atje dhe ka nisur të shpërndahet për familjet në nevojë.
Kështu ka njoftuar Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Kjo dërgesë, siç thotë ajo, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë.
“Dje pasdite morëm konfirmimin se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës ka mbërritur në Gaza dhe menjëherë ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren”, shkroi Gërvalla në Facebook.
“E dimë”, shton ajo, “që asgjë nuk e zëvendëson humbjen dhe dhimbjen atje”, por shpreson që kjo ndihmë modeste “t’u japë sadopak mbështetje e lehtësim familjeve, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, në ditë kur edhe gjërat më bazike mungojnë”.
Gërvalla ka shprehur mirënjohjen për Turqinë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e kanë bërë të mundur këtë operacion humanitar.









