Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ndërhyrë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut përmes përfaqësuesit të tij, Hysen Durmishit, i cili mori pjesë në tubimet e kundërshtarëve të Ahmetit, koalicionit VLEN.
“Nëse unë nuk shkoj në një vend dhe çoj përfaqësuesin tim aty, jam unë, nuk është tjetërkush. Albin Kurti ka qenë sepse ka qenë përfaqësuesi i tij”, ka thënë Ahmeti për gazetarët, pasi ka votuar në qendrën e votimit në Zajaz të Kërçovës.
Mirëpo, kreu i BDI-së u shpreh i bindur se Kurti tashmë nuk mund ta ndihmojë më VLEN-in. “Me siguri ata e thirrin për t’i ndihmuar, por nuk iu ndihmon gjë tash”.
Ahmeti theksoi gjithashtu se ai nuk ka ndërhyrë dhe as nuk është përzier në zgjedhjet në Kosovë e as në Shqipëri.
“Ne na duhen marrëdhënie të mira me Kosovën, me Shqipërinë, marrëdhënie të mira si shqiptar”.









