Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe disa prej anëtarëve të kabinetit të tij. Pretendimet e VV-së në kryeqytet lidhen me një sinjalizim që ky subjekt politik thotë se u ka ardhur përmes e-mailit, e në të cilin pretendohet për biseda në rrjetin social “Snapchat”, për legalizim jashtëligjor të ndërtimeve në Prishtinë. Sipas VV-së, bisedat janë zhvilluar mes një personi anonim dhe një zyrtari të lartë të Komunës së Prishtinës.

“Një grup asamblistësh kemi pranuar një email sinjalizues ku flitet për legalizime të jashtëligjshme dhe shuma të madhe parash. Në këto mesazhe, personi që komunikon me një person tjetër anonim është pikërisht shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama. Në këto biseda personi në fjalë përpos që përmend kompani e objekte ndërtimi, përmend shuma dhe pretendon se këto legalizime janë të jashtëligjshme”, tha para mediave asamblistja e VV-së në Prishtinë, Berita Abazi.

Sipas Abazit, Prokuroria duhet “të vërtetojë nëse pretendimet janë të vërteta”.

Vetëvendosje në kryeqytet ka publikuar disa biseda të pretenduara të realizuara në “Snapchat” mes një zyrtari të lartë të Komunës së Prishtinës dhe një individi tjetër anonim, në të cilat pretendohet se një personi të tretë i janë kërkuar 30 mijë euro për t’i kryer punë një firme private në lidhje me legalizimin e ndërtimeve pa leje.