Një gazetar hulumtues kroat ka paraqitur një kallëzim pranë prokurorisë së Milanos kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për përfshirjen e tij të supozuar në aferën e “Sarajevo safari”, në të cilën pretendohet se snajperistë nga Italia dhe vende të tjera udhëtonin drejt kryeqytetit boshnjak për të vrarë civilë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet e 90-ta.
Aleksandër Vuçiç ka mohuar se ka qëlluar ndonjëherë mbi Sarajevën, por ende nuk ka komentuar mbi akuzat e reja.

Javën e kaluar, prokurorët në Milano hapën një hetim me synimin për të identifikuar shtetasit italianë të dyshuar, nën akuzën e vrasjes së qëllimshme të kryer me mizori dhe motive të ulëta, sipas gazetës së famshme The Guardian.
Sipas hetuesve, grupe të ashtuquajtura “turistë snajperë” dyshohet se morën pjesë në vrasjet masive pasi kishin paguar shuma të mëdha parash për t’u transportuar nga ushtarët e ushtrisë së Radovan Karaxhiçit, ish-lideri serbo-boshnjak, i dënuar në vitin 2016 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, drejt kodrave përreth Sarajevës, për të qëlluar mbi popullatën civile për argëtim.
Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga predhat dhe zjarri i snajperëve midis viteve 1992 dhe 1996, gjatë rrethimit më të gjatë në historinë moderne, i cili filloi fill pas shpalljes së pavarësisë së Bosnjës e Hercegovinës nga ish-Jugosllavia.

Hetimi u nis nga një kallëzim i paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano, i cili kishte mbledhur prova mbi pretendimet, si dhe nga një raport i dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariç.

Të mërkurën, gazetari hulumtues, Domagoj Margetiç, ka paraqitur kallëzimin e tij kundër Vuçiçit tek prokurorët që po hetojnë rastin.
Në ditët e fundit, Margetiç postoi evidencë në rrjete sociale që Vuçiçi ishte pjesë e një punkti ushtarak në Sarajevë nga i cili, sipas dëshmitarëve, qytetarë të huaj dhe ultranacionalistë serbë gjuanin dhe vrisnin civilë, në çfarë është përshkruar si “safari i turistëve”.









