Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt është ndërprerë të premten, pasi deputetët nuk arritën pajtim për përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve prej të cilave do të kërkohen dokumente dhe dëshmi.
Kryetari i komisionit, Burim Ramadani nga AAK-ja, bëri të ditur se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtuan që ZKM-ja të përfshihej në këtë listë, pavarësisht një pauze pesëminutëshe të kërkuar për të tejkaluar mospajtimet.
“Për këtë arsye, e ndërpreva mbledhjen. Përballë kësaj bllokade, nuk kishte kuptim të vazhdohej mbledhja”, tha Ramadani.
Ai njoftoi se komisioni do të mblidhet sërish të hënën, duke kërkuar nga deputetët e LVV-së që ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, tha se Zyra e Kryeministrit nuk i ka dorëzuar dy raportet që komisioni i ka kërkuar lidhur me rastin.
Ai insistoi që hetimi parlamentar të mos kufizohet në institucione të caktuara, por të përfshijë secilin institucion që mund të ketë dokumente apo informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.
“U bëj thirrje deputetëve të shumicës parlamentare të reflektojnë dhe të bashkëpunojnë në zbardhjen e të gjithë zinxhirit të dështimeve institucionale që përfundoi me vrasjen e një gruaje”, deklaroi Rrahmani.
Edhe deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, shprehu shqetësimin se mospajtimet politike po e pengojnë punën e komisionit.
Ajo tha se plani i veprimit që ka propozuar përfshin shqyrtimin e përgjegjësive në të gjitha nivelet, nga zyrtarët që kanë trajtuar rastin deri te drejtuesit institucionalë dhe niveli politik.
“Është shumë e rëndësishme që Komisioni hetimor i tillë të funksionojë, nuk duhet të politizohet. Një ministër mund të jetë i shkëlqyeshëm në performancë, por nëse ndodh një rast tragjik, nëse nuk ka përgjegjësi penale e ka përgjegjësi morale”, tha ajo.
Kabashi-Ramaj ngriti edhe çështjen e raporteve të kërkuara nga institucionet, të cilat ishte paraparë të dorëzoheshin deri më 4 nëntor, por që, sipas saj, ende nuk kishin arritur në komision.
Ajo kërkoi që institucionet që nuk i janë përgjigjur kërkesave të komisionit të evidentohen zyrtarisht, të ftohen për të dhënë sqarime me shkrim dhe t’u caktohet një afat i ri për dorëzimin e dokumentacionit.









