Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka dhënë përgjigje kontradiktore lidhur me pyetjen nëse qumështi Vita përmban vaj palme.

Në Pressing të T7, Muja fillimisht deklaroi se qumështorja Vita prodhon qumësht të përzier me vaj palme dhe se produktet e saj nuk janë 100 për qind qumësht.

“Pa asnjë fije dyshimi, Qumështorja Vita prodhon qumësht të përzier me vaj palme dhe të gjitha nuk i ka produktet e pasura 100 për qind qumësht. Dhe pretendimi ndryshe është i gabuar”, tha Muja.

Por, kur u pyet nëse bëhet fjalë për vetë qumështin Vita apo për produkte të tjera të qumështores, ministri nuk dha përgjigje të qartë.

Ai tha se, sipas raportit fillestar të inspektimit, në qumështoren Vita janë konstatuar 26 produkte me vaj palme, por nuk tregoi nëse në mesin e tyre është edhe qumështi Vita.

“Qumështorja Vita, në bazë të raportit, prodhon edhe produkte shtazore, edhe produkte me vaj palme. Ky është konstatimi fillestar i inspeksionit. Analizat do ta konfirmojnë, po supozoj, pikërisht këtë”, tha Muja.

I pyetur përsëri nëse pyetja lidhet konkretisht me qumështin Vita, e jo me produktet e tjera të kompanisë, Muja tha se nuk e ka ende informacionin përfundimtar.

“Konstatimi fillestar i inspektoratit është që në qumështoren Vita, në objektin e kontrollit, në VITA, që ka qenë subjekt i verifikimit, janë konstatuar 26 produkte me vaj palme. Konstatim fillestar. Në lidhje me produktet, unë kam kërkuar, jo vetëm për qumështoren, kam kërkuar a kanë regjistrim, a i kanë autorizimet, cilat produkte kanë autorizim dhe cilat s’kanë autorizim, krejt listën e produkteve dhe çfarë përmban secili produkt. Po i pres analizat përfundimtare. Aktualisht nuk mund të them, sepse nuk e kam informacionin”, deklaroi Muja.

I pyetur nëse i ka analizat e fundit për produktet e Vitës, ministri tha se ato ende nuk i janë dorëzuar.

“Nuk i kam, nuk më janë dorëzuar. Sepse ka aludime të ndryshme. Unë i kam kërkuar këto raporte, nuk i kam raportet e analizave përfundimtare për secilin produkt”, tha Muja.