Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në komunat Veriore të Kosovës mund të bëhesh Kryetar Komune vetëm përmes zgjedhjeve të Kosovës. I pyetur se pse nuk e ka takuar Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ai ka theksuar se në raste të tjera do të ketë mundësi që ta takojë.
Këto komente, Kurti i ka bërë për gazetarë gjatë vizitës në Veri, ku u përurua objekti i Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
“Kësaj radhe nuk e kam takuar, por sigurisht që në rastet tjera do të kemi mundësi të takohemi. Ka qenë një transferim paqësor i pushtetit, që do të thotë se në komunat në veri të Ibrit mund të bëhesh kryetar komune, mund të bëhesh asamblist, mund të bëhesh drejtor, por vetëm nëpërmjet zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ai u pyet nga gazetarët serbë nëse ka demokraci në Kosovë, ku tha se qeveria që ai drejton punon për të gjithë qytetarët.
“Ne punojmë për të gjithë qytetarët. Unë nuk jam mbi ligjin. Koha para qeverisë sonë nuk ka qenë normale. Nuk them se tani është gjithçka normale, por them se gjithçka po normalizohet. Kjo sepse ligji nuk është ai që e ndan shoqërinë në ata që nuk janë të mbrojtur dhe në ata që askush nuk guxon t’i prek. Mirëpo e bashkon shoqërinë me bashkim dhe barazi. Nuk mund ta jepni asnjë shembull ku organet e pushtetit: policia e Kosovës, e tani edhe administrate tatimore nuk u shërben të gjithëve njëjtë dhe profesionalisht”, shtoi ai.









