Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar të martën se janë pranuar dy raporte të ADN-së për identifikimin e mbetjeve mortore të dy personave të zhdukur gjatë luftës.
Përmes një njoftimi për media, ata kanë njoftuar se këto dy identifikime nuk lidhen me zhvarrosjet në Kalludër dhe Jabukë, as me zhvillimet e fundit në Zubin Potok dhe as me ndonjë lokacion tjetër të adresuar gjatë këtij viti.
“Këto identifikime janë rezultat i procesit të rishqyrtimit të hollësishëm të mbetjeve mortore që ndodhen në morgun e Institutit për Mjekësi Ligjore, si dhe i procesit të mbledhjes së mostrave biologjike referuese plotësuese nga familjarët. Pra, bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më herët, e jo gjatë aktiviteteve të fundit në terren”, thuhet në njoftim.
Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore, i cili, pas verifikimeve përkatëse, ka konfirmuar zyrtarisht identifikimin.
Bëhet me dije se gjatë kësaj jave, familjet do të njoftohen për rezultatet dhe hapat e mëtejshëm, në përputhje me procedurat përkatëse.
Aty theksohet se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në respektim të familjeve dhe së drejtës së tyre për të ditur të vërtetën.









