Lumir Abdixhiku nuk do të largohet vetë nga pozita e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se dorëheqjen do t’ia dorëzojë Kuvendit të LDK-së, të cilët do të vendosin nëse ai do të largohet nga drejtimi i partisë më të vjetër në vend apo jo.

“E kam obligim moral e kam obligim politik të sjelljes sime që të marr jo vetëm përgjegjësinë, por të marr edhe të shtroj tutje dhe organizimin politik të LDK-së nëpërmjet ofrimit te Kuvendi i LDK-së së dorëheqjes sime si Kryetar i LDK-së dhe më pas Kuvendi i LDK-së le të vendosë nëpërmjet votës se a e pranon apo nuk e pranon këtë dorëheqje”, tha Abdixhiku pas mbledhjes pesë orëshe me disa prej anëtarëve të Kryesisë së partisë.

Ai shtoi se secili brenda LDK-së e “ka të drejtën e garantuar që deri atëherë në Kuvend të shtrojë edhe kandidaturën individuale për kreun e LDK-së”.

Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, LDK-ja nën drejtimin e Abdixhikut mori një nga rezultatet më të dobëta në histori, me vetëm 13.23 për qind.