Akuzat se bashkëpunon me BIA-n, të paraqitura nga Prokuroria Speciale, i akuzuari Fatmir Sheholli i ka mohuar, ndërsa mbrojtja e tij ka hequr dorë nga e drejta për kundërshtim të aktakuzës, duke kërkuar që rasti të shkojë direkt në gjykim.

Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendimet e Prokurorisë për lidhje me shërbimin inteligjent serb, BIA.

Sipas aktakuzës së datës 24 gusht 2026, në dosjen e rastit përfshihen dhjetëra prova materiale dhe personale, përfshirë përgjime telefonike, komunikime të nxjerra nga telefoni i Shehollit, video-incizime, pamje të kamerave të sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raport financiar.

Prokuroria pretendon se Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA, kishte vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të Bojan Dimiqit, të cilin aktakuza e identifikon si drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Sheholli kishte mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në aktakuzë përmendet edhe një dokument “Top Secret2”, fotografia e të cilit, sipas Prokurorisë, është gjetur në telefonin e Shehollit. Në dokument pretendohet se fondet e mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë.

I pranishëm në seancë ishte edhe Nenad Rashiç, Ministër për Komunitete dhe Kthim, në cilësinë e dëshmitarit.