Publicisti Blerim Shala ka thënë se nëse Kosova do ta refuzonte krijimin e Gjykatës Speciale, mund të kishte sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe do të formohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Kemi pasë komunikim të vazhdueshëm me diplomacinë amerikane dhe insistimi i tyre ka qenë që duhet të bëhet Gjykata Speciale ose alternativa me gjasë do të jetë që të bëhet një Tribunal Ndërkombëtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Shala në një intervistë për VOX Kosova.

“Ky ka qenë opsioni i cili na është prezantuar. Tash a do të bëhej apo jo është temë në veti, por edhe po mos bëhej ky Tribunal Ndërkombëtar, mos të harrojmë ka qenë një kërkesë këmbëngulëse kategorike e administratës amerikane të Presidentit Obama dhe mund ta marr me mend se çfarë sanksionesh politike dhe diplomatike do të kishte Kosova në vitin 2015, mbi të gjitha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mos t’i bënim Dhomat e Specializuara”, shtoi ai.

Te gjendur në ketë situatë, Shala theksoi “nuk kemi pasë alternativë”.

“Edhe na është prezantuar që, po them, opsioni tjetër është votimi i Tribunalit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, sepse gjërat kanë shkuar tepër larg. Tepër larg me mediat. Tepër larg me politikë ndërkombëtare. Tepër larg nga ana e Rusisë”.

Ai tregon se kanë vlerësuar se më mirë do të ishte t’i shkohet deri në fund akuzave të Dick Marty-t, që kështu të bijnë poshtë dhe të sqarohet kjo çështje njëherë e mirë.

“Të mos harrojmë, 2015 është krejt tjetër klimë politike, krejt atmosferë tjetër politike dhe ne midis konfrontimit me Amerikën dhe përfilljen e një kërkese të Amerikës, me pretendimin e përbashkët që do të bijnë poshtë akuzat e senatorit Marty, sepse nuk ka trafikim organesh, atëherë bindja jonë ka qenë që mirë është t’i shkohet deri në fund, që ka të bëjë me një periudhë afatshkurtër kohore, ose afatmesme – variantin më të keq – edhe do të sqarohet njëherë e përgjithmonë”, potencoi Shala.