Ky lajm është përditësuar.
Tre persona janë plagosur si pasojë e të shtënave ne armë zjarri në qendër të Podujevës pasditen e së enjtes.
Motivet e kësaj ngjarje nuk dihen akoma.
Përleshjen e ka ndalur intervenimi i Policisë së Kosovës.
Në pamjet e siguruara nga VOX Kosova, shihen tre persona të plagosur rëndë. Ata janë të përgjakur.
Në momentin kur ndërhyn Policia, njëri nga tre personat e përfshirë në përleshje, po e godiste me pjesën e pasme të pistoletës një person.
Pas paralajmërimit të policisë, ai ndalet, e hedh armën dhe shtrihet për toke.
Një tjetër person i plagosur qëndron i shtrirë në tokë, por duke lëvizur dhe me shenja jete.
Edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar për VOX Kosova se tre persona janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ata kanë thënë se rreth orës 13:30, kanë pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në Podujevë.
“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se tre persona janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Aktualisht, Pllana theksoi se njësitet policore po vijojnë me ndërmarrjen e veprimeve operativo- hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.









