Këtë të diel, duke filluar nga ora 10:00, do të mbahet seanca e radhës konstituive e Kuvendit.

Në mbrëmjen e së shtunës, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se do ta votojnë Vlora Çitakun e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për nënkryetarë të Kuvendit, pavarësisht se në seancën e së premtes refuzuan.

Por, ata thanë se presin që PDK dhe LDK të marrin pjesë në votimin për Presidentin.

“Kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, thuhej ndër të tjera në reagimin e VV-së.

Se konstituimi i Kuvendit mund të ndodh në këtë datë, pra më 13 shtator, e kishin paralajmëruar më herët PDK-ja dhe Aleanca.

Ardian Gjini, Kryetar i Aleancës, të mërkurën tha se VV-ja po do që ta mbërrijë datën 13 shtator për konstituimin e Kuvendit, që kështu pastaj të mund t’i caktojë zgjedhjet më 27 dhjetor dhe të llogarisë në votat e diasporës, e cila në atë kohë vjen në mënyrë më masive në Kosovë për shkak të pushimeve.

“Qëllimi i tyre prej fillimit nuk ka qenë konstituimi i institucioneve të Kosovës. Pse është kjo zvarritje? Duhet me e mbërri së paku datën 13 shtator në mënyrë që, kur kalkulohet edhe 60 ditëshi afati për zgjedhje të Presidentit, edhe 45 ditë deri në shkuarje në zgjedhje, partia që i ka fitu zgjedhjet e kalume me mbërri datën 27 dhjetor”, tha Gjini të mërkurën.

Të njëjtën, një muaj më parë, e kishte paralajmëruar edhe deputeti i PDK-së, Arian Tahiri. Ai thoshte se VV po e shtynë konstituimin e Kuvendit mes datave 13 dhe 28 shtator me qëllim final që të mund t’i caktojë zgjedhjet më 27 dhjetor.

“Albin Kurtit nuk i interesojnë afatet kushtetuese. I intereson skenari i tij. Objektivi është i qartë: zgjedhjet e reja më 27 dhjetor 2026. Kuvendin do ta konstituojë, por jo tani. Synimi i tij është që konstituimi të bëhet afërsisht mes 13 dhe 28 shtatorit, në mënyrë që, sipas skenarit politik e procedural, Albin Kurti dhe Ushtruesja e Detyrave të tij si Presidente të mund ta caktojnë 27 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja”, shkruante në Facebook Tahiri më 11 gusht.

Ai thoshte se konstituimi në atë kohë i Kuvendit “ia prish skenarin”.

“I aktivizon afatet kushtetuese dhe ia ngushton hapësirën për manovrim. Prandaj, i duhet edhe rreth një muaj shtyrje”, potenconte ai.

Në vazhdimin e seancës konstituive të premte, VV-ja nuk e votoi Vlora Çitakun për nënkryetare. Ata i kërkuan PDK-së që ta ndërrojnë kandidaten.

Po ashtu, thanë se nuk do ta votonin as Kujtim Shalën e LDK-së.

Mirëpo, një ditë më pas morën qëndrim se do ta votojnë.

Në seancën e së mërkurës, pas tejkalimit të të gjithë afateve kushtetuese, Kuvendi i dalur nga zgjedhjet e 7 qershorit, e zgjodhi sërish Albulena Haxhiun për Kryetare. Ajo mori 62 vota për.

Por, procesi i konstituimit ngeci te zgjedhja e nënkryetarëve pasi që VV-ja nuk pranoi të votojë kandidatët e opozitës.