Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë dalë sërish para Qeverisë në një aksion simbolik në shenjë proteste për mos-thirrjen e seancës konstituive nga Vetëvendosje dhe Kryesuesi i seancës nga kjo parti, Avni Dehari.  

Sipas deputetes së PDK-së, Blerta Deliu, Albin Kurti dhe ministrat e tij “janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë objektin e Qeverisë”.

 “Ata duhet të kthehen në Kuvend e t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit”, tha ajo.

Ndërsa sipas deputetit të Aleancës, Besnik Tahiri, është Albin Kurti ai që “ua ka marrë mandatin 120 deputetëve të zgjedhur të popullit”.

“Ai një njeri i vetëm nuk lejon që të ushtrojmë detyrën tonë si të zgjedhur të popullit, të votuar nga sovrani në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me të vetmin qëllim me e gjet diku një derë në mënyrë që edhe pozicionin e presidentit me e kap për partinë e vet dhe me e kthy logjikën e partisë që e udhëheq parti shtet”, tha Tahiri.