Albulena Haxhiu si kryetare e re e Kuvendit të Kosovës sot ia ndërpreu fjalën përfaqësuesit të Listës Serbe, teksa i referohej komunitetit serb si “populli serb”…
“Ju kërkoj që ta tërhiqni fjalën paraprakisht dhe të vazhdoni me propozimin sipas Rregullores së Kuvendit dhe sipas Kushtetutës. Edhe një herë tërhiqeni fjalën që ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Por, tragjikisht për Haxhiun, del se ajo këtë referim për serbët e Kosovës e bën vetë.
Në një postim në Facebook, Haxhiu, kur fliste për komunitetin serb në Kosovë, iu referohej si “populli serb”.
Edhe më e rëndë, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes kishte elaboruar tutje, po ashtu duke e cilësuar komunitetin serb si populli serb në Kosovë.
“Populli serb koka rehat në Kosovë”, deklaronte nder te tjera Konjufca.
Ama këto s’janë qëndrime individuale.
Krejt Vetëvendosja mendon se serbët janë popull në Kosovë.
Në këtë postim të Vetëvendosjes të 26 korrikut të vitit 2018, në faqen zyrtare në Facebook, ata shkruajnë, ndër të tjera… se duhet të bëhet reciprocitet i të drejtave të popullit shqiptar në Serbi me popullin serb në Kosovë.
Dhe, për t’u rënduar situata, Vetëvendosja e kishte votuar Sllavo Simiqin si nënkryetar të Kuvendit në vitin 2021, pavarësisht se ai ishte prezantuar po njëjtë “në emër të popullit serb”.
Disa nga deputetët e Vetëvendosjes kërkuan të thirret Prokuroria dhe tani mbetet të kuptohet nëse do ta kenë dëshirën e njëjtë për ndërhyrjen e organeve të rendit, kur ata dalin se i janë referuar komunitetit serb si popull, më shumë edhe se vetë Lista Serbe.
E vërteta e plotë është se Vetëvendosja nuk e ndërpreu seancën për fjalitë e përfaqësuesit serb, sepse, siç dokumentohet, atë fjali ata e kanë në gojë vetë dhe shpesh.
E ndërpreu sepse i nevojiten arsyetime të tjera për ta bllokuar funksionimin normal të shtetit.
Arsyetime sepse arsyeja është veç një. Loja e Albin Kurtit me popullin. Por me Popullin e Kosovës.








