Ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kur është pyetur lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se e gjithë situata është një skenar që po udhëhiqet nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti, me qëllim, siç thotë ai, që të shkohet në zgjedhje në muajin dhjetor.
Data që e do Vetëvendosja për zgjedhjet e reja, sipas Haradinajt, është 27 dhjetori, prandaj thekson se po bëhen të gjitha këto manovra me moskonstituimin e Kuvendit dhe tejkalimin e të gjitha afateve kushtetuese.
“Skenari është ky. Kjo ka mundur të ndodhë më 6 korrik [zgjedhja e Albulena Haxhiut si Kryetare]. U shty. Pra. është skenar vetëm me iu afru dhjetorit për datë të zgjedhjeve”, ka thënë Haradinaj në Rubikon, që transmetohet në Klan Kosova.
Ky është qëllimi, siç thotë ai, “i regjimit Kurti”. “Ai po i bën këto përpjekje. Duhet me e pa qysh po shkojnë këto procese. Në çfarë dinamika do të shkojnë. Si do të sillen akterët politikë”.
Ai theksoi se ata janë në bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës “me e pa qysh me iu qas kësaj strategjie të regjimit për zgjedhjet e reja dhe datën”.
Haradinaj, ndër të tjera, theksoi se Kurti “po e udhëheq pamëshirshëm këtë skenar”.
“Jemi në skenar të tij. Pra ai po e udhëheq skenarin dhe po e udhëheq pamëshirshëm. Ai s’ka mëshirë. S’ka as ndjenja realisht. Ai shumë pa ndjenja po e bën një proces të tillë. Po e detyron edhe një herë qytetarin e Kosovës për të katërtën herë me dal me votu”.
Të mërkurën u mbajt vazhdimi i seancës konstituive. U zgjodh Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të dytën herë radhazi.
Por, procesi ngeci të nënkryetarët. Nuk u pajtuan për formën se si te votohen – ndaras apo në pako.
Po ashtu, Vetëvendosja bëri të ditur se nuk i përkrah kandidatët për nënkryetar nga PDK dhe LDK, përkatësisht Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.









