Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, e ka vizituar në Skenderaj kryetarin e kësaj komune, Sami Lushtaku, pas zhvillimeve atje që kulmuan me një prezencë të njësive speciale policore në mesnatë.

Ismaili ka thënë se një bashkëluftëtar i Adem Jasharit, Hashim Thaçit e Kadri Veselit nuk mund të njolloset me etiketime “Serbia”.

“Një bashkëluftëtar i Adem Jasharit, Ilaz Kodrës, Hashim Thaçit e Kadri Veselit nuk mund të fyhet e njolloset me etiketimin ‘Serbia’ – të cilën e ka luftuar me tërë qenien e vet. UÇK është vlerë universale e popullit tonë dhe si e tillë duhet të respektohet nga të gjithë”, ka shkruar ai.

Ismaili thotë se prezenca e forcave të policisë speciale ishte një skenar i Kurtit për dhunë.

“Ngjarjet e ditëve të fundit patën në cak qytetin e Skenderajt, duke dërguar forca të shumta policore. Jam i lumtur që organizimi qytetar dhe bashkëpunimi me institucionet e pamundësuan skenarin e Albin Kurtit për dhunë”, ka shkruar Ismaili.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar për dërgimin e forcave speciale në Skënderaj – duke e quajtur veprim me urdhër politik dhe i ka kërkuar Albin Kurtit të ndalojë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë partiakë.

“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force. E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, ka shkruar Hamza.

“Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin!”.