Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se ai dhe partia e tij mbështesin dhe mirëpresin dekretin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, duke shtuar se janë ta gatshëm të marrin pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo (Vjosa Osmani), në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës”, ka deklaruar Abdixhiku.

I pari i partisë më të vjetër në vend ka potencuar se dështimi politik i kombinuar me tendenca për imponim nuk mund të kthehen në debate politike e as në “zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”.

Abdixhiku ka deklaruar se zgjedhjet nuk kanë qenë alternativa e organizatës që ai drejton dhe se ato kanë qenë “lehtësisht të shmangshme”, por se apetitet për kapje të të gjitha pozitave kryesore të shtetit nuk mundësuan kompromis.