Një hulumtim i Buletinit Ekonomik, i mbështetur në një raport të brendshëm auditimi të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), zbulon një skemë të organizuar korrupsioni gjatë valës së fundit të shpronësimeve në fshatrat Shipitullë dhe Sibovc të komunës së Obiliqit. Dëmi total ndaj KEK-ut vlerësohet të jetë rreth 10 milionë euro.
Shpronësimi, i realizuar në vitin 2024, përfshiu një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh dhe 17 shtëpi, dhe u krye për të mundësuar zgjerimin e mihjeve të KEK-ut — proces që fshatrat në fjalë e kanë përjetuar disa herë që nga viti 2009.
Janë përdorur katër metoda kryesore përmes të cilave banorë të zonës përfituan në mënyrë të kundërligjshme:
Shtëpi të ndërtuara vetëm për “hesap” të shpronësimit
Disa banorë ngritën struktura betoni menjëherë përpara se vlerësuesit të dilnin në terren, meqë prona me ndërtesa kategorizohej më lart në kompensim. Pas marrjes së parave, shtëpitë u rrënuan për “t’i fshehur gjurmët”, siç e përshkruajnë edhe vetë banorët e cituar nga mediumi. Raporti i auditimit të KEK-ut konfirmon se, nga 18 pako të kontrolluara (10% e 279 pakove totale), në 7 prej tyre u vërtetua ky lloj abuzimi. Që nga viti 2009 janë identifikuar të paktën 17 ndërtime të paligjshme, me dëm mbi 3 milionë euro.
Mbivlerësimi i sipërfaqeve të objekteve
Në disa raste, shtëpitë u vlerësuan me dy deri tre herë më shumë se sipërfaqja e tyre reale. Një shembull i dhënë nga auditorët: një pronë e regjistruar me 436 m² rezultoi në terren vetëm 179 m². Në disa pako të tjera, mbivlerësimi arriti në 572 m² shtesë, që përkthehet financiarisht në mbi 283 mijë euro.
Mbjellja e fidanëve
Kjo ishte metoda më fitimprurëse. Banorët mbollën rreth 200 mijë fidanë “jashtë çdo standardi”, siç e përshkruan raporti i auditimit, duke i shkaktuar KEK-ut një dëm prej rreth 6 milionë eurosh. Rreth 62% e fidanëve të kompensuar rezultuan të thatë — pra rreth 123 mijë nga gjithsej 198,394 të vlerësuar. Mediumi citon rastin e një banori (N.M.) që mbolli 4,200 trupa arra në 80 ari, ndërkohë që norma e lejuar është deri 400 trupa arra për hektar — një shembull konkret i shkeljes së standardeve. U dokumentuan gjithashtu puse të hapura fiktivisht për ujitje, të kompensuara me çmime shumëfish më të larta se kostoja reale. Një banor i Shipitullës, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka treguar se hapja e pusit i kishte kushtuar rreth 500 euro, ndërsa përmes shpronësimit ai ishte kompensuar me 2 mijë e 500 euro.
Dyshime për ryshfet
Banorë të intervistuar nga mediumi kanë pretenduar se procesi nuk ka qenë i barabartë: disa u kompensuan e të tjerë jo, madje pretendohet edhe përfshirje e personave nga komuna të tjera. Rasti konkret i verifikuar nga gazetarët është ai i dy vëllezërve me toka ngjitur, ku njëri u shpronësua e tjetri jo.
Kompania vlerësuese, pa licencë
Vlerësimi i pronave u krye nga kompania Legal Solution Company, e angazhuar nga KEK-u përmes negocimi direkt pasi tenderi kishte dështuar disa herë. Pronari i kompanisë, Qëndrim Arifaj, ka pranuar se firma nuk zotëron licencë për vlerësim pronash, por i ka hedhur poshtë akuzat për parregullsi.
KEK-u nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare për këtë rast.
Artikullin e plotë të Buletinit Ekonomik mund ta lexoni këtu: Skema e zhvatjes: Si u bënë “rrush e kumbulla” miliona nga shpronësimet në Shipitullë dhe Sibovc.









