Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike(KEDS) është gjobitur edhe me 90 mijë euro për 18 njehsorë të cilët është konstatuar se u kishte skaduar afati i vleshmërisë. Në një njoftim për media, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka bërë me dije se brenda  një periudhe të shkurtër kohore, për dallaveret me njehsorë ka pranuar 574 ankesa, nga të cilat 54 njehsorë janë tërhequr nga përdorimi për t’u testuar, e 38 nga ta ka dalë se janë me afat të skaduar.

Më 16 prill, KEDS është gjobitur me 30 mijë euro për gjashtë njehsorë të tjerë.

Hulumtimet dhe raportimet e mediave treguan se njehsorët elektrikë të KEDS-it kanë devijime kohore dhe për rrjedhojë matja e shpenzimeve të rrymës bëhet gabim.

Në mostrat e prezantuara doli se një numër i madh i njehsorëve janë prapa me kohën reale, çka nënkupton se kur konsumatorët shpenzojnë me përllogaritjen e tarifës së lirë, e në fakt ata faturohen me çmime normale.