Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se janë suspenduar pesë (5) zyrtarë policorë në dy raste të ndara. Tre (3) prej tyre, dyshohet se janë përfshirë në veprën penale “ngacmim seksual”, ndërsa dy të tjerët në “kontrollim të jashtëligjshëm”.

Rekomandimi për suspendim është dhënë të premten pas ndërmarrjes së disa veprimeve fillestare hetimore.

Sa i përket rastit për “ngacmim seksual”, IPK ka theksuar se rasti ka ndodhur më 15 tetor pas mesnatës, ku policët e kanë ndaluar një grua dhe pas kontrollimit i kanë thënë të vazhdonte në drejtim të Çagllavicës me qëllim të kryerjes “së veprimeve me karakter seksual”.

“Rasti raportohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026 pas mesnatës, në afërsi të rreth rrotullimit në lagjen Lakërishte në Prishtinë. Sipas pretendimeve të ankueses, deri sa e njëjta ishte duke drejtuar veturën, ajo ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë, të cilët më pas i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Bëhet me dije se me udhëzim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedura penale për veprat e dyshuara, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore.

“Për të ndriçuar plotësisht rrethanat e këtij rasti dhe për të sqaruar pretendimet e ngritura, IPK do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit”.

Në rastin tjetër, IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Sipas të dhënave fillestare të hetimit, më 15 tetor 2026 rreth orës 23:00 në Gjilan, zyrtarët policorë dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare, ku pretendohet se ndaj tij është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia, përfshirë marrjen e telefonit të tij pa urdhër të Prokurorit të Shtetit”, thuhet aty.

IPK thekson se dyshimet fillestare sugjerojnë se veprimet e pretenduara “mund të kenë ndërlidhje me një ankesë të parashtruar nga i njëjti qytetar në korrik të vitit 2026, ndaj zyrtarëve policorë në fjalë nën dyshimin për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore”.