Në librat zyrtarë të Gjeografisë për nxënësit e klasës së shtatë në Maqedoninë e Veriut, botim i vitit 2025, Kosova quhet “Kosovë e Metohi”. Një gjuhë e përdorur nga Beogradi është futur në tekstet shkollore të një shteti ku shqiptarët janë pjesë e qeverisë dhe përbëjnë më shumë se 30 për qind të popullsisë së këtij shteti.

“Relievi përbëhet nga luginat e Fushë Kosovës, në pjesën qendrore dhe lindore dhe Metohia në pjesën perëndimore. Në Perëndim nga Metohia në drejtim të kufijve me Shqipërinë…”, thuhet në këtë libër ku flitet për relievin e Kosovës.

“Republika e Kosovës gjendet në jugperëndim të Serbisë”, thuhet në pjesën kur flitet për pozitën gjeografike të Kosovës.

Deri më tani, nuk ka asnjë reagim nga përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeveri, koalicioni VLEN, i cili gëzon mbështetjen e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Në lidhje me këtë skandal, ka reaguar analistja, Nafie Selmani. Ajo i ka pyetur liderët e koalicionit VLEN se a vlen kjo libër edhe për ta.

 “A është për burrat e VLEN-it Kosova – Kosovë, apo ‘Metohia’, ashtu siç figuron në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë, botim i vitit 2025?”, ka shkruar Selmani në Facebook.

Ajo ka vazhduar që të pyes se a është i njoftuar për këtë emërtim “mbështetësi i tyre më i madh politik, kryeministri i Kosovës, ai që shquhej për deklarata nacionaliste?”. “A pajtohet edhe ai që Kosova qenka ‘Metohi’?”, vazhdon pyetjet.

“A keni të paktën një grimcë guximi politik për të kërkuar tërheqjen e këtij botimi skandaloz, e të provoni se vërtet ekzistoni pak përtej rolit dekorativ në qeveri?”, potencoi ajo ndër të tjera.