“Gjeneral, pusho në paqe”, kështu fillon shkrimi skandaloz glorifikues i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni të Veriut, kur kanë shkruar duke vajtuar për vdekjen e kriminelit, të dënuarit me burg të përjetshëm për gjenocid nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavinë, Ratko Mlladiç.
Kjo parti udhëhiqet nga Ivan Stoilkoviç, i cili mban pozitën e Ministrit për Vetëqeverisje Lokale në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
“Ratko Mlladiç ishte ushtar. Gjeneral. Një njeri që jetën e tij ia kushtoi ushtrisë dhe popullit të cilit i përkiste”, thuhet ndër të tjera në shkrimin tejet skandaloz të partisë së Stoilkoviç-it.

Pjesë e Qeverisë maqedonase që drejtohet nga Kryetari i VMRO-DMNE-së, Hristjan Mickoski, si përfaqësues të shqiptarëve, është edhe “VLEN”, partnerët e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Kurti e kishte përkrahur publikisht VLEN-in në zgjedhjet e majit 2024, të cilët atëherë nuk ishin ende një parti e vetme, por bashkim i disa partive të vogla. Madje, mori pjesë – së bashku me Mickosk-in – në Kuvendin ku u bë një parti e vetme.
VLEN nuk i kishte fituar zgjedhjet në kampin shqiptar. Bashkimi Demokratik për Integrim kishte dalur i pari.
Por, pjesë e Qeverisë u bënë partnerët e Kurtit, me mbështetjen e tij, të cilëve nuk iu pengoi që koleg në ekzekutiv ta kishin edhe Stoilkoviç-in, i cili vazhdimisht mohon pavarësinë e Kosovës dhe glorifikon kriminelët serbë.
Ndryshe, krimineli Mlladiç, ish-komandant i Ushtrisë Serbe të Bosnje e Hercegovinës, vdiq të enjten në moshën 84 vjeçare, në burg.
Mlladiç, është i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavinë.
Atij i ishte shqiptuar dënimi në vitin 2017, mbi 20 vjet pasi kundër tij ishte ngritur aktakuzë.
Gjykata e kishte gjetur Mlladiç-in fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995, e cila njihet si një prej mizorive më të mëdha e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Mlladiç u shpall përgjegjës edhe për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës, kryeqytetit të Bosnjës, që Tribunali e cilësoi si krim kundër njerëzimit.









