Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj një ekspozite të fundit mbi luftën e Kosovës, duke e cilësuar përmbajtjen e saj si “skandaloze” dhe thellësisht të papranueshme. Sipas kësaj partie, ekspozita përbën devijim serioz nga e vërteta historike dhe cenim të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre.
Në reagimin për media, LDK thekson se lufta e Kosovës është një e vërtetë e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht, duke kundërshtuar çdo përpjekje për relativizim apo deformim të saj. Sipas tyre, shtrembërimi i kësaj të vërtete dëmton kujtesën kolektive dhe themelet e shtetit.
Partia e konsideron veçanërisht shqetësues faktin që, sipas saj, kjo përmbajtje është financuar dhe promovuar nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë si dështim serioz institucional.
LDK ka shprehur mbështetje për angazhimin e Prokuroria Speciale e Kosovës, duke kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet dhe paanshmëri deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësive.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe pret që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë, paanshmëri dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme. Në të njëjtën kohë, kërkojmë përgjegjësi të qartë publike nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin, mbështetjen dhe promovimin e kësaj ekspozite. Kjo përgjegjësi nuk është vetëm administrative; ajo është përgjegjësi ndaj historisë, ndaj viktimave dhe ndaj qytetarëve të Republikës” thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK thekson se tema të tilla kërkojnë standarde të larta profesionale dhe verifikim të thelluar, duke shtuar se kujtesa historike nuk mund të jetë hapësirë improvizimi. Sipas tyre, mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave mbetet detyrim themelor shtetëror.









