Ish-zëvendëskryeprokurori i Speciales, Alex Whiting, dora e djathtë e Jack Smithit, ka barazuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me kriminelin serb Ratko Mladiçin.

Revoltën e popullit të Kosovës kundër dënimit të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ai e ka krahasuar me nderimet që iu bënë në Serbi kasapit të Srebrenicës pas vdekjes.

“Dua të filloj me dy pyetje që m’i ka dërguar një koleg nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Harvardit, profesori Alex Whiting”, Kathryn Sikkink – profesoreshë e të Drejtave të Njeriut në Harvard.

Në një ligjëratë të sociologes Anna Di Lellio në Harvard Kennedy School, Whiting, i cili udhëhoqi prokurorinë në Hagë për disa muaj, kur nisi dëgjimi i dëshmitarëve, ka dërguar dy pyetje sugjestive, përmes të cilave ka shënjestruar luftën çlirimtare, popullin dhe mediat në Kosovë.

“Po e citoj: Publiciteti i kësaj ngjarjeje sugjeron se verdikti u përjetua si një lëndim për shumëkënd në Kosovë dhe se dhjetëra mijëra u mblodhën në Prishtinë duke pritur një lirim. Por, a nuk është kjo një dinamikë e njohur në rastet e krimeve të luftës, të paktën tani? Së fundmi, Ratko Mlladiq ndërroi jetë dhe, kur trupi i tij u kthye në Serbi, ai mori një pritje si hero”.

Anna Di Lellio, e cila ka tri dekada përvojë në terren në Kosovë dhe Shqipëri, e ka kundërshtuar fort këtë paralelizëm skandaloz e të papranueshëm.

“Do të thoja se vetëm ngritja e këtij krahasimi është tejet problematike. Nuk ka asnjë pikë takimi me atë që ndodh në Kosovë, përveç nëse besoni atë që shkruajnë Dhomat e Specializuara, se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale”, tha Anna Di Lellio, sociologe.

Di Lellio renditi faktet mbi gjenocidin e orkestruar nga Mlladiqi dhe të mbështetur nga shteti serb.

“Ne e shohim atë në televizion, në dokumentarë dhe në filmin që ai vetë realizoi kur kreu këtë krim”.

Dhe, natyrisht, përballë kësaj, ajo potencoi dallimin thelbësor, që nuk mund të anashkalohet nga asnjë mendje e shëndoshë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës… pra, natyrisht, një aktor joshtetëror që luftonte për çlirimin e Kosovës”.

Në pyetjen e tij të dytë, Whiting, i cili ka qenë edhe shef i hetimeve në Speciale dhe dikur pjesë e prokurorisë që akuzoi Fatmir Limajn në Hagë, u përpoq të shënjestronte mediat në Kosovë, duke aluduar se ato kontrollohen nga krerët e UÇK-së.

“Profesori Whiting pyet: Sa nga dinamika e tanishme në Kosovë mund të shpjegohet me faktin se mediat në Kosovë kontrollohen kryesisht nga entitete të rreshtuara me të akuzuarit dhe se shumica dërrmuese e mbulimit medial ishte negative?”

Përgjigjja e Di Lellios tregon pikërisht të vërtetën për Gjykatën Speciale, prokurorët dhe gjyqtarët e saj.

“Një nga kritikat e Komitetit të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit është se gjyqtarët dhe prokurorët në këtë gjykatë nuk e njohin ligjin e Kosovës. Unë do të thoja se ata nuk e njohin fare Kosovën, sepse kjo pyetje është thjesht e çuditshme”.

Duke demantuar narrativën e Whitingut, ajo nënvizon se në Kosovë ka një rrjet të madh mediatik të pavarur. Madje, ajo thekson se, në raport me krerët e UÇK-së, televizioni publik kontrollohet nga një qeveri që nuk është në anën e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

“Nuk ka asnjë kontroll të mediave në Kosovë nga askush, aq më pak nga të pandehurit.

Media në Kosovë ka një peizazh mjaft të pasur, sikurse në shumë vende të tjera. Ekziston një radio dhe televizion publik që, po, ndikohet disi nga qeveria, e cila aktualisht nuk është mike e të pandehurve. Por, përtej kësaj, ekziston një treg i lirë mediash”, deklaron Di Lellio.

Ato që Whiting i maskon si pyetje, në fakt, janë përgjigje.

Janë dëshmia më e qartë se si është konstruktuar kjo gjykatë që nga dita e parë: një projekt politik i dizajnuar për ta kriminalizuar UÇK-në, për ta njollosur luftën çlirimtare dhe për ta barazuar atë me aktet e arkitektëve të gjenocidit në Ballkan.

Prandaj, pas gjithë kësaj maskarade gjashtëvjeçare, pyetja që u drejtohet Alex Whitingut, ish-shefit të tij Jack Smithit, prokurorëve, gjyqtarëve në Speciale dhe diplomacisë që ua ruan shpinën është vetëm një:

Çfarë ndërmarrjeje jeni ju?