Simboli i UÇK-së te vendi i quajtur “Guri i Shpuar” në Kaçanik është dëmtuar këtë të diel. Për këtë rast, Policia e Kosovës ka nisur hetimet.

Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Më 17.05.2026, rreth orës 09:45, stacioni policor në Kaçanik ka pranuar një informatë për dëmtimin e simbolit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, shefi i operativës si dhe zyrtarë komunalë e përfaqësues të OVL-UÇK-së”, ka thënë Veseli.

Nga hetimet e para, ai theksoi se dyshohet që simboli është dëmtuar nga persona të panjohur, “ndërsa nuk dihet koha e saktë e ngjarjes”.

Në afërsi të monumentit, siç tregoi ai, është vërejtur edhe një zjarr, që dyshohet se ka shkaktuar djegien e materialeve plastike të shkronjave.

Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse të Policisë.