Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i bindur në pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara të luftës.
Këto komente, Kurti i bëri gjatë përurimit të transformimit të Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi që u pyet për deklaratën e deputetit të GUXO-s, që është pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ku kërkoi burgim të përjetshëm për krerët e UÇK-së.
“Tashmë kjo ka ndodh nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Ju e dini qëndrimin tonë sa i përket Gjykatës Speciale, e cila është një gjykatë jo normale, jo transparente. Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, bartëse e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, tha Kurti.
Ai theksoi edhe se Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, “ia tërhoqi vërejtën, ia ndërpreu fjalën deputetit edhe për shkak të gjuhës edhe për shkak të komentit që bëri”.
I pyetur nëse do të ketë ndonjë vendim për Gecin, Kurti tha se është vetëm Kryetar i VV-së dhe Kryeministër i Kosovës, “nuk jam edhe kryetari i ndonjë farë komisioni disiplinor, aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër”.
Deputeti Geci, në fjalën e tij në Kuvend të martën, i tha Partisë Demokratike të Kosovës që “lideri i juaj suprem”, duke iu referuar Hashim Thaçit, do ta ketë fatin e njëjtë si të Naim Murselit, i cili u dënua të martën me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.
“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju që shpresoni që një ditë lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, deklaroi Geci.









