Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, pozitat udhëheqëse, po mbushen me militantë të Vetëvendosjes.

Në konkursin publik të 21 korrikut të këtij viti, disa prej të punësuarve rezultojnë figura aktive të Lëvizjes Vetëvendosje apo të lidhur me këtë parti. Ata po marrin pjesë aktivisht në përkrahje të kandidatit të Vetëvendosjes për Kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi.

Bujar Agusholli është emëruar Drejtor për Infermieri në këtë spital. Ai ka qenë asamblist i Kuvendit Komunal të Pejës nga radhët e Vetëvendosjes në vitin 2021, ndërsa është rizgjedhur përsëri në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Agusholli është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2011.

I kontaktuar nga VOX Kosova lidhur me punësimin e tij, pasi dëgjoi pyetjen, refuzoi të përgjigjej dhe pastaj e ndali telefonin.

“E kemi Zyrën për Informim, ditën e mirë”, ka thënë ai.

Nga i njëjti konkurs, si Drejtor i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta është punësuar edhe Edonis Haxhija.

Ai është anëtarësuar në Vetëvendosje në vitin 2017. Në vitin 2021 ka qenë kandidat për asamblist i VV-së. Një vit më vonë ishte zgjedhur anëtar i kryesisë.

Në gusht të vitit 2025 në rrjete sociale atij i referohen si sekretar, por ai thotë se ka qenë ushtrues detyre i sekretarit dhe se aktualisht nuk mban ndonjë pozitë, ndonëse vazhdimisht shfaqet me kandidatin për Kryetar.

“Jo, kam qenë ushtrues detyre i sekretarit. Edhe nuk ka ndiku, sepse ka qenë konkurs i jashtëm, duke plotësuar të gjitha kërkesat, të gjitha kriteret edhe i kam ndjek procedurat ligjore, kështu që nuk besoj që ka pas impakt”, tha Haxhija.

Një tjetër që është punësuar e që pozon në rrjetet sociale me kandidatin e Vetëvendosjes për Kryetar të Pejës është Shefqet Kryeziu.

Ai është punësuar si Shef i Shërbimit Teknik në Spitalin e Pejës.

Kryeziu nuk i është përgjigjur thirrjeve e mesazheve të redaksisë.

Për t’u siguruar që militantët e partisë do të punësohen, edhe në komision përzgjedhës u vendosën pjesëtarë të partisë.

Nexhdet Shala dhe Selman Kelmendi, të dy kandidatë të Vetëvendosjes për asamblistë në zgjedhjet e 12 tetorit, u përkujdesën për këtë punë.

Nuk përfundon me kaq.

Si urë lidhëse për punësimin e militantëve të Vetëvendosjes është edhe vetë Drejtori i Spitalit, Fahri Hasani.

Ai është anëtar i Vetëvendosjes që nga qershori i 2020-së. Prezantimin e tij e kishte bërë Albin Kurti.

Hasani edhe tani është aktiv në Vetëvendosje ku merr pjesë në takime që i organizon kandidati për Kryetar të Pejës nga radhët e kësaj partie.

Drejtori nuk është përgjigjur në thirrjet dhe mesazhet e redaksisë.

Por, nga Spitali i Pejës kanë thënë për VOX Kosova se drejtori Hasani apo ndonjë punëtor tjetër i këtij institucioni nuk ka pasur ndikim në procesin e përzgjedhjes apo punësimit.

Në Qeverinë e Vetëvendosjes, për t’u punësuar në një institucion publik, nuk është kusht përgatitja apo kriteret e konkursit, por libreza e partisë.

Ata që dikur si opozitarë premtonin luftimin e nepotizmit, si pushtetarë këtë fenomen e kanë bërë normë qeverisëse.