Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se qytetarët “janë mashtruar” përmes keqllogaritjes së shpenzimit të energjisë elektrike, meqë thekson se shumica e njehsorëve kanë devijime në kohë. Ajo ka kërkuar hetim të pavarur dhe ndërprerje të çfarëdo diskutimi për rritjen e çmimit të rrymës.
“Është një padrejtësi që po bëhet për muaj apo vite me radhë. Teksa kemi dëgjuar Qeverinë që u ka bërë thirrje qytetarëve ta kursejnë energjinë elektrike e të presin e të shpenzojnë prej orës 22 për shpenzim të energjisë me të lirë, ne sot kemi parë që shumica e njehsorëve nuk e llogarisin saktë shpenzimin e energjisë dhe kjo çon tek llogaritja më e madhe dhe faturimi më i shtrenjtë për secilën familje të Kosovës”, ka thënë ajo në fjalën e saj në Kuvend.
“Qytetarët janë mashtruar. Qeveria u ka thënë kurseni rrymën shpenzoni në orët e natës derisa orët kanë keqllogaritur. Kjo është e vërteta e hidhur”.
LDK ka kërkuar hetim të pavarur dhe auditim të plotë të sistemit të faturimit, “dorëheqje të bordit të ZRRE-së, kompensim për çdo qytetar për çdo cent të marrë padrejtësisht, ndërprerje të menjëhershme të çdo diskutimit për rritjen e çmimit të energjisë dhe hetim nga Prokuroria dhe përgjegjësi penale”, deklaroi ajo.
Meqë u konstatua se njehsorët kanë devijime në kohë, ajo thekson se pikërisht këtu lindin shumë pyetje. “Si është e mundur që një problem i tillë të jetë kaq i përhapur dhe Ministria e Industrisë të mos ketë vepruar me kohë?”.
Ky fenomen, thotë ajo, nuk është i izoluar, por “është i përhapur masivisht te çdo familje”. “Përgjegjësia në këtë rast është e qartë dhe nuk mundet të shmanget”.
“Ministria e Industrisë, KEDS-i, ZRRE, KESCO mbajnë përgjegjësi për mos veprim dhe për dështim për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve në çdo çështje që prek drejtpërdrejt faturimin e energjisë elektrike”, shtoi.
Nëse nga ky problem qytetarët janë dëmtuar për muaj apo për vite me radhë, atëherë deputetja e LDK-së vlerëson se Ministria e Industrisë “nuk mund të sillet si spektatore, ka obligime të reagojë dhe të mbikëqyrë gjithë këtë dhe të jep llogari”, potencoi ajo.
Në këtë situatë, Lushaku-Sadriu thekson se “është e papranueshme që të diskutohet për rritje të çmimeve të energjisë në një situatë kur vetë sistemi zyrtar i faturimit është vënë në pikëpyetje. Nuk mund të kërkosh më shumë nga qytetari kur nuk i garanton as drejtësinë minimale sot”.
Lushaku-Sadriu potencon se kjo duhet t’i faturohet Qeverisë “si një dështim për të cilin i kërkojmë llogari dhe raport”.









