Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka konsideruar si ndër skandalet më serioze ekspozitën për masakrat në Kosovë, e cila përmbante të dhëna të pasakta. Ai ka deklaruar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti po prodhon skandal pas skandali, të cilët thekson se po duan që t’i ikin përgjegjësisë për këtë rast.

“Një situatë ku duhet shumë të shikohet seriozisht nga institucionet e Kosovës pse kemi ardhë në një situatë, ku ky vend vazhdon të kalojë prej një skandali në një skandal. Kjo Qeveri, ky pushtet është kah prodhon skandal pas skandali. Është totalisht e pakuptimtë se si i përvidhet, se si shteti dështon, dështon Qeveria e Kosovës, dështon Kuvendi i Kosovës, dështon Ministria përkatëse dhe mbështet një ekspozitë, e cila në esencë ka pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës, pasaktësi të dhënave”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Tahiri ka theksuar se të dhënat e paraqitura në ekspozitë i ka demantuar burimi. “Pra, burimi i informacionit thotë këto nuk janë të dhëna të mia. Do të thotë largone këtë ekspozitë”.

Secili institucion, siç thotë ai, në këtë pushtet mundohet “me ik prej përgjegjësisë”. “Lëvizja Vetëvendosje duke thënë që na e kemi përjashtu autorin nga Lëvizja Vetëvendosje, nga Zyra e Kryeministrit mundohet me ik nga përgjegjësia”.

AAK-ja ka kërkuar që kjo temë të trajtohet seriozisht. “Ne i kemi dërgu një letër Kryetares së Kuvendit, letër e cila buron nga disa aktivistë që kanë kërku nga shefat e grupeve parlamentare që të adresohen disa tema që lidhen me transparencën me procesin në mënyrë që të dijmë mirëfillin dhe ta dijmë ku është burimi i vërtetë i një situate”.

Kjo situatë, siç thekson ai, fillimisht i ka goditur viktimat, njerëzit që kanë vuajtur në Burgun e Dubravës pastaj e ka prekur historinë dhe “pastaj i ka përvidh në këtë proces, i ka përfshi edhe institucionet e Kosovës, në këtë rast institucionin më të lartë që është Kuvendi i Kosovës”.

Pasi që në ekspozitën e Shkëlzen Gashit, të mbështetur nga institucionet shtetërore, u konstatuan të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim për largimin e ekspozitës nga sheshi “Nënë Tereza”.