Disa ditë pasi që Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër Naser Afizit në lidhje me aferën korruptive të ambalazhuesve të ujit, Liburn Aliu, ish-Ministër i Infrastrukturës, ka thënë se hetimet ndaj tij nga Prokuroria Speciale kanë pushuar.
“Kam marrë lajmin e mirë nga avokati im për vendimin për pushimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale ndaj meje. Ky vendim është marrë më 11 shtator dhe është dhënë mëngjesin e së premtes, më 2 tetor”, shkroi Aliu në Facebook.
“Ky proces hetimor ka filluar para dy vitesh dhe përgjatë tërë kohës është përcjellë me spekulime të shumta mediatike. Përpos punës sime si ministër, është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të hyrat përgjatë viteve, të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011, në vazhdimësi deri më sot, edhe tani që kam marrë detyrën e re”.
Më 1 tetor, Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër Hafizit për aferën e ambalazhuesve të ujit, rast për të cilin ishte intervistuar edhe Aliu.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, Hafizi dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “shpëlarje të parave” si dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Aktakuzë tjetër është ngritur edhe ndaj I.B për “armëmbajtje pa leje”.
“Sipas aktakuzës, N.H. gjatë viteve 2021-2023., në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, dhe me qëllim që operatorëve ekonomikë të caktuar, ambalazhues të ujit, t’u mundësojë përfitime pasurore të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumën e përgjithshme prej 15.752.486,07 euro”, thuhej në njoftim.
Aliu, në cilësinë e të dyshuarit, ishte intervistuar më 5 gusht.
“Pata mundësinë me e sqaru se për të gjithë periudhën sa kam qenë ministër, kam vepru në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Auditorit. Nuk ka asnjë vendim që mundet me më ndërlidh mu me këtë proces. Për pretendimin për mosveprim i tërë rasti ka qenë i Audituar nga Zyra Kombëtare e Auditorit dhe ka pasur rekomandime e është vepru në bazë të tyre”, kishte thënë Aliu pas intervistimit.









