Miliona euro përfitime nga ndërtimi i banesave dhe lejimi i mbindërtimeve janë kryefjalë të audio-incizimit të publikuar nga VOX Kosova, ku Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, flet për pronë komunale me biznesmenin, Labinot Halilaj, që ishte edhe asamblist i PDK-së në Drenas.
Lladrovci këtu ia bën llogaritë Halilajt për përfitimet milionëshe që do të kishte në rast se do ta merrte projektin në fjalë, e i premton edhe metra katrorë mbindërtim.
Ai e garanton tashmë kandidatin e tij për Asamblenë në kuadër të Listës “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, se ndërtimi në këtë pronë është fitim i sigurt milionësh.
Personazhi kryesor i kësaj ngjarje, e pranoi vërtetësinë audio-incizimit, por tha se nuk është i plotë.
Ai pretendoi se i njëjti është i cunguar e i deformuar. Megjithatë, në kërkesën e VOX Kosova që ta sjellë variantin e plotë për publikun, Lladrovci refuzon.
VOX Kosova kontaktoi edhe Halilajn. Ai ishte i shkurtër, duke thënë se këto janë shpifje.
Mediumi ka kontaktuar edhe personat e tjerë që Lladrovci në shpjegimin e tij i ka përfshirë në bisedë, por të cilët nuk dëgjohen në audio-incizim.
Arigon Sinani, i akuzuar nga Lladrovci si person që e incizoi bisedën, fajin krejtësisht e ka hedhur te pala kundërt.
Kurse Hamit Kastrati, edhe ky i përmendur nga Lladrovci si i pranishëm në bisedë, tha në fakt incizimin e ka bërë Labinot Halilaj.
Biseda milionëshe e Lladrovcit me të tjerët besohet të jetë bërë mes muajve shtator-nëntor të vitit 2024.
Nga publikimi i VOX-it, Lladrovci ka vazhduar ankesat që këtu po bëhet fjalë për shantazh ndaj tij dhe se po tentohet të dëmtohet në prag të zgjedhjeve.