Visar Azemi, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka dorëzuar në Polici dëshmitë për njehsorët e rrymës, të cilët u konstatuan se kanë devijime në kohë.

Se njehsorët kanë probleme e ka pranuar edhe Ministria e Industrisë, e cila themeloi një komision të posaçëm për të verifikuar këto problematika. Nga MINTI kanë bërë me dije se kanë marrë mbi 500 ankesa.

Nga ana tjetër, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) ka pranuar se disa njehsorë kanë devijime, por kanë pretenduar se janë “brenda standardeve dhe rregullativave të lejuara”.

Madje, KEDS është duke ndërruar njehsorët e rrymës të cilët u konstatua se kanë devijime në kohë.

Këto veprime, KEDS-i po i ndërmerr në një kohë kur Prokuroria ka nisur hetimet për këtë çështje.

Largimi i njehsorëve në këtë kohë po konsiderohet joligjor, për shkak se mund të dëmtojë provat.

Problemet e njehsorëve me kohë dëmtojnë qytetarët pasi që nuk kalojnë në tarifën e ulët në orën 22:00, siç kishte vendosur ZRRE-ja.