Nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) e kanë pranuar se njehsorët e rrymës kanë devijime në kohë, por, sipas tyre, ato janë “brenda standardeve dhe rregullativave të lejuara”.

Në një konferencë për media, zyrtarë të kësaj kompanie thanë se janë në procedurë të ndërrimit të njehsorëve vazhdimisht.

“Ne jemi në proces të ndërrimit të njehsorëve. Jemi vazhdimisht në proces  të ndërrimit të njehsorëve dhe kjo është strategjia jonë. Ne kemi me vazhdu me ju dhanë prioritete vjetërsisë së njehsorëve”, tha Flamur Kurtaj – Menaxher i Ndërrimit dhe Leximit të Njehsorëve në KEDS.

Ata theksuan se devijimet jashtë standardit të lejuar të njehsorëve janë raste të izoluara. “Nëse tejkalohen do të kompensohen edhe në centin e fundit”, potencoi zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, mirëpo pa treguar formën se si do bëhet kjo.

“Në ato raste po punojmë. Ky devijim i kohës ka një lloj tolerance, çka do që ka jashtë tolerancës së lejuar, do të kompensohen”, shtoi ajo.

Mediumi Nacionale para disa ditësh raportoi për devijimin e njehsorëve të energjisë elektrike, ku u tha se shumë qytetarë po dëmtohen pasi që të njëjtit nuk kalojnë në tarifën e ulët në orën 22:00, ashtu siç kishte vendosur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Mostrat treguan se plotë njehsorë ishin prapa në kohë. Rrjedhimisht një konsumator ka shpenzuar energji elektrike duke menduar se është me tarifë të lirë, por si pasojë e defektit në njehsorë ata janë faturuar me çmime shumë më të larta.