Instagram ka publikuar reklama të paguara që promovonin materiale të abuzimit seksual me fëmijë në Indi, sipas një hetimi të BBC Eye.

Reklamat, të cilat u panë nga BBC World Service, përdornin terma si “video përdhunimi” dhe “video me fëmijë”, duke i drejtuar përdoruesit drejt kanaleve në aplikacionin Telegram, ku këto materiale shiteshin për vetëm 99 rupi indiane (rreth 1 dollar amerikan).

Reklamat në Instagram publikohen vetëm pasi miratohen nga sistemi i moderimit të platformës.

Kur BBC raportoi një nga reklamat te Instagrami, platforma iu përgjigj pas 24 orësh duke thënë se ajo nuk shkelte udhëzimet e komunitetit.

Më vonë, pasi BBC kërkoi koment nga Meta, kompania mëmë e Instagramit, ajo tha se kishte çaktivizuar disa nga reklamat dhe kishte pezulluar llogaritë që i publikonin ato. Meta shtoi se, pas gjetjeve të BBC-së, kishte hequr reklama të tjera, kishte mbyllur më shumë llogari dhe kishte bllokuar URL-të e përmbajtjeve që shkelin politikat e saj.

Telegram deklaroi se gjatë vitit 2026 ka hequr më shumë se 274 mijë grupe dhe kanale që lidhen me materiale të abuzimit seksual të fëmijëve.

BBC krijoi një llogari të rreme në Instagram pasi vuri re se platforma po sugjeronte përmbajtje me natyrë seksuale edhe kur përdoruesi nuk kishte kërkuar materiale të tilla.

Fillimisht, llogarisë iu shfaqën gra që postonin për ushqimin, motin dhe jetën e përditshme në Indi, të veshura në mënyrë provokuese dhe me nënkuptime seksuale. Llogaria nisi t’i ndiqte ato dhe persona të tjerë të ngjashëm – gjithsej 10 – për të hetuar përmbajtjen e seksualizuar në platformë.

Brenda më pak se një jave, Instagram filloi t’i shfaqte reklama me gra që ofronin video-thirrje dhe video me çifte plotësisht të zhveshura duke kryer marrëdhënie seksuale.

Pak ditë më vonë, platforma nisi t’i shfaqte reklama me fëmijë dhe të rritur në situata seksualisht sugjestive, të shoqëruara me lidhje drejt kanaleve në Telegram.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Supreme të Indisë, Madan Lokur, tha se është i shqetësuar që Instagrami “po fiton para duke marrë pjesë në një aktivitet kriminal.”

Në total, llogaria pa rreth 30 reklama unike që promovonin materiale të abuzimit seksual të fëmijëve, disa prej të cilave publikoheshin nga më shumë se një llogari.

Po ashtu, asaj iu shfaqën rreth 20 reklama me përmbajtje pornografike për të rritur.

Shpërndarja e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve dhe pornografisë është vepër penale në Indi. Politikat e Meta-s ndalojnë reklamat që përmbajnë lakuriqësi të plotë, organe gjenitale ose materiale që shfrytëzojnë seksualisht apo rrezikojnë fëmijët. BBC raportoi të gjitha reklamat dhe kanalet në Telegram tek autoritetet indiane.

Një reklamë tregonte një djalë dhe një vajzë, që dukeshin rreth 12 vjeç, duke kryer një akt seksual.

Një tjetër paraqiste një burrë me krahun mbi një vajzë, ndërsa teksti thoshte se ai ishte 52 vjeç dhe vajza 12 vjeç, me ftesën: “Kliko për të parë më shumë.” Reklama çonte drejt një kanali në Telegram.

BBC raportoi gjithashtu një reklamë që tregonte një vajzë shumë të vogël duke qarë, me tekst që nënkuptonte se ishte viktimë e abuzimit seksual.

Megjithatë, 24 orë më vonë, Instagram u përgjigj se nuk do ta hiqte reklamën, sepse “ekipi ynë i shqyrtimit konstatoi se reklama nuk shkel standardet e komunitetit.”

Më vonë, Meta i tha BBC-së se “asnjë sistem nuk është i përsosur” dhe se procesi i saj i shqyrtimit mund të mos identifikojë të gjitha shkeljet e politikave.

Kompania shtoi se vazhdon të përdorë teknologji proaktive për të zbuluar reklama problematike edhe pasi ato publikohen dhe se çdo përdorues mund të raportojë reklamat që beson se shkelin rregullat.